|
|
e Enjëte, 26 Korrik 2012 13:29 Tiranë - Gjykata e Tiranës vendosi sot shpalljen të pafajshëm të specialistit të IT-së në Kryeministri, Amando Kasaj, i cili u akuzua për fshirjen e pamjeve filmike të 21 janarit nga serveri i Kryeministrisë. 
Në seancën e zhvilluar sot, Gjykata rrëzoi akuzën e ngritur ndaj Kasajt, duke e shpallur atë të pafajshëm. Një seancë më parë, Prokuroria e Tiranës kërkoi dënimin me 2 vjet burg për Armando Kasaj, me akuzën e “veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Kasaj u procedua në Gjykaten e Tiranës, në një proces të veçuar nga tre të pandehurit e tjerë të dosjes “21 janari”, ish-kreut të Gardës, Ndrea Prendi, ish-gardistin Agim Llupo dhe ish-shoferin e Prendit, Margarit Kume.
Kasaj u akuzua se ka fshirë pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë së Kryeministrisë gjatë orëve të demonstratës së dhunshme të 21 janarit 2011.
Ndërkohë që vetë Kasaj në deponimet e tij, ka pranuar vetëm se ka kopjuar pamjet e një prej kamerave dhe gjithçka i është dorëzuar Gardës së Republikës. (LajmeShqip.com)