|
|
e Mërkurë, 08 Shkurt 2012 16:00 Tiranë- Gjykata e Apelit në Tiranë ka rrëzuar sot kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë se arrestit në burg ndaj ish- komandantit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, i akuzuar për ngjarjet e 21 janarit.
Gjykata e Apelit, ne një seance që zhvilloi sot, vendosi të lërë në fuqi masën e arrestit në shtëpi ndaj te pandehurit Prendit, marrë pak ditë më parë nga Gjykata e Shkallës së Parë. Në këtë mënyrë, kjo Gjykatë ka rrëzuar kërkesen e prokurorisë për ndryshimin e masës nga arrest në shtepi, në arrest në burg ndaj ish -komandantit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi.
Vendimi është marrë pasi trupi gjykues i çështjes, i përbërë nga gjyqtarët Artan Broci, Edmond Gogo dhe Gjin Gjoni u njohën me pretendimet e palëve në proces. Kështu, përfaqësuesi i prokurorisë kërkoi masen e arrestit ne burg ndaj Prendit, me argumentimin se, ekzistojnë dyshime te arsyeshme për implikimin e tij në ngjarjet e 21 janarit. Për prokurorine, ish- komandanti i Gardes, Ndrea Prendi ka qëlluar me arme në drejtim te turmes ne 21 janar 2011 gjate demonstrates para selise se Kryeministrisë.
Ndërkohë që njëri nga plumbat e dale nga pistoleta e Prendit, pretendohet se ka vrarë shtetasin Faik Myrtaj.
Prendi, sikurse deklaroi prokurori, në deklarimet e tij ne organin e prokuroise ka deklaruar se nuk ka qëlluar me armë ditën e ngjarjes.
Por, kërkesa e prokuroise ka hasur në kundërshtimin e palës mbrojtese, e cila kërkoi mospranimin e saj. Madje pala mbrojtëse e përfaqësuar nga avokati Genc Gjokutaj, kërkoi një masë më të butë për klientin e tij, atë me detyrim paraqitje në organet e rendit, kerkesë kjo, e cila u rrëzua nga Gjykata.
Pala mbrojtese, duke kundërshtuar akuzën e prokuorise, deklaroi se prokuroria ka anashkaluar ligjin e Gardës se Republikes, që prashikon se është detyrë e Gardës të përdorë armët në rast sulmi. Ndërkohe qe,prokuroria nuk ka arritur të shpjegojë shkaqet dhe motivet e akuzes ndaj Prendit.
Pala mbrojtëse vuri në dukje se ish komandanti i Gardes Prendi nuk përbente rrezik për shoqërine apo për t’iu shmangur hetimit, pasi ka qënë përherë në dispozicion të hetuesve të çështjes.
Ish- komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi akuzohet për vrasjen me armën e shërbimit të shtetasit Faik Myrtaj në demonstratën e opozitës në 21 janar 2011. Ai u arrestua pak ditë më parë, pasi Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë së arrestit në shtëpi ndaj tyre.
Në demonstratën e dhunshme të opozitës në 21 janar 2011 para selisë së kryeministrisë, mbetën të vrarë me armë zjarri katër shtetas, ndërsa u plagosën dhjetra të tjerë, civilë dhe punonjës policie. (LajmeShqip.com)