Lajme Shqip Wednesday, 08 June 2011 19:19

Prishtinë – Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Pejës kanë marrë iniciativë në mbështetje të ish-kryeministrit dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ata kanë shkruar rreth 18 mijë letra të cilat pritet të arrijnë në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës brenda këtyre ditëve.
U publikuan rreth 18 mijë letra, me vargje të ndryshme, madje disa nga to edhe u lexuan nga nxënësit e shkollave fillore të Pejës.
Kryetari i Kuvendit të të rinjve të Pejës, Arbër Krasniqi ka deklaruar se ky organizim një ditor, të cilën e kanë emërtuar me moton “Një letër për Ramushin”, janë shkruar 17 mijë e 942 letra në përkrahje të Haradinajt.
Sipas tij, përkundër insistimit që të bashkëngjiten edhe komunat tjera, këtë nismë e kanë kufizuar vetëm në komunën e Pejës me arsyetimin se Haradinaj do të kthehet shumë shpejt dhe nuk do të ketë kohë që t’i lexojë mijëra e miliona letra që do të bashkëngjiteshin në këtë nismë.
Në emër të grupit organizues të aktiviteteve të ndryshme në kuadër të kampanjës “Për Ramushin për të ardhmen”, Jahja Lluka, ka thënë se fëmijët janë ata që na gëzojnë të gjithë neve dhe për të cilët kemi sakrifikuar gjithçka.
Ai sqaroi se Tribunali i Hagës ka pranuar që të gjitha letrat brenda këtyre dy apo tri ditësh do t’i dërgohen Haradinajt. Ndryshe, nga nxënësit e shkollave fillore të Pejës u lexuan edhe disa nga letrat të përzgjedhura nga vetë ata.