Lajme Shqip Tuesday, 31 January 2012 09:00

Prishtinë- Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës shqyrtoi sot, raportin e Policisë së Kosovës lidhur me ngjarjet e 14 janarit, gjatë protestave të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje, në Merdare dhe Dheu i Bardhë.

Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit, pas një diskutimi të gjerë rreth këtij raporti, anëtarët e komisionit kanë nxjerr disa konkluzione dhe rekomandime.

Ata kërkuan që raporti i Policisë së Kosovës të plotësohet me të dhëna të sakta statistikore, të cilat duhet të përfshijnë numrin dhe natyrën e lëndimeve të pjesëtarëve të PK-së dhe protestuesve, arrestimin e deputetëve të Parlamentit të Kosovës, arsyetimin për ndërhyrje në pronat private, lëndimin e gazetarëve, si dhe numrin e rasteve nën hetim lidhur me ngjarjet e 14 janarit.

Komisioni kërkon gjithashtu që organet përgjegjëse të përmbyllin dhe të publikojnë rezultatet e hetimeve.

Më tej në këto rekomandime thuhet që pjestarët e Policisë së Kosovës kanë nevojë për trajnime shtesë për menaxhimin e turmave dhe pajisje shtesë për situata të tilla, si dhe kanë nevojë të përmirësojnë nivelin e komunikimit përmes pajisjeve teknike, pasi ka pasur pengesa teknike në komunikim mes njësiteve përkatëse.

Gjatë mbledhjes u theksua se janë identifikuar disa raste individuale ku ka dyshim të bazuar për tejkalim autorizimesh nga ana e Policisë së Kosovës dhe se këto raste individuale, qoftë nga pjesëtarë apo eprorë të PK-së, për asnjë çast nuk duhet të zbehin imazhin e Policisë së Kosovës. (LajmeShqip.com)