Lajme Shqip Tuesday, 14 June 2011 11:28

Tiranë – 14 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë do të marrin pjesë sot dhe nesër në një takim me eurodeputetë në Parlamentin Europian.

Tema kryesore e bisedimeve në këtë takim ndërparlamentar në Strasburg do të jenë 12 prioritetet e Bashkimit Europian për integrimin e Shqipërisë. Ndërsa pritet të diskutohet edhe situata politike në Shqipëri.

Ky do të jetë raundi i parë i takimeve të Komitetit të Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe PE-së, ku në rend të ditës do të jetë diskutimi mbi progres-raportin që do të miratohet në muajin tetor dhe përmbushja e 12 kërkesave që Komisioni Europian ia ka parashtruar Shqipërisë si detyra për integrimin.

Delegacioni i Parlamentit Shqiptar që do të marrë pjesë në këtë takim, përbëhet nga 7 deputetë të opozitës dhe 7 të maxhorancës.

Mbledhja do të drejtohet nga dy kryetarët, Eduard Kukan, kryetar i delegacionit për Ballkanin dhe Fatos Beja, kryetar i delegacionit nga pala shqiptare.

Pjesë e delegacionit është edhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Ajo pritet te takohet edhe me Komisionerin për Zgjerimin, Stefan Fyle.