Lajme Shqip Monday, 26 November 2012 13:55

TIRANE- Kryeqyteti e ka veshur tashme kostumin e tij kuq e zi, ndërsa në çdo ballkon valëvitet flamuri ynë kombëtar, atmosfera e festës së madhe ndjehet kudo. 

Përgjatë këtyre javëve nuk kanë munguar aktivitetet e shumta, në nderim të firmëtarëve të Pavarësisë. Ndërsa sot Tirana nis zyrtarisht festimet për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, festime këto që zgjasin plot 3 ditë, deri më 28 Nëntor.

Aktivitetet startuan në orën 11:00 me përkujtimin e 100-vjetorit të ngritjes së flamurit në Tiranë, tek Ura e Tabakëve, vend ku u vendos sot edhe mozaiku i flamurit kombëtar të gdhendur në gurë, i Gëzim Hidrit. Kryebashkiaku Basha në fjalën e tij, tha se Tirana është sot qyteti që rrezaton shpresë dhe besim për mbarë kombin shqiptar.

VLORA BËHET GATI PËR TË KREMTUAR 28 NËNTORIN

Ora 13:25- Tani që akrepat kanë filluar të numërohen mbrapsht, kur endajnë edhe dy ditë nga dita e kremtimit të madh, Vlora ka veshur rrobat e festës. 

Aktivitetet e shumta që po zhvillohen në këtë qytet, mes të cilave edhe Festivali Mbarëkombëtar Folklorik, përurimet e statujave të figurave të spikatura të kombit, i kanë rritur dukshëm dimensionet e kësaj atmosfere. 

Në mjedise të ndryshme publike jepen koncerte gjatë gjithë ditës nga grupe të ndryshme që kanë mbërritur në Vlorë në kuadrin e Festivalit Mbarëkombëtar Folklorik, ndërkohë që vazhdojnë me intensitet veprimtari të larmishme, në përkujtim të kësaj ngjarjeje madhore të historisë sonë kombëtare. 

Dekori i pasur është një tjetër element i rëndësishëm që i ka dhënë qytetit larminë e ngjyrave të 100 Vjetorit të Pavarësisë Kombëtare. 

FIERI ‘PRET’ DELEGATËT E KOSOVËS DHE MAQEDONISË

Ora 13:00- Fieri që prej dy ditësh është kthyer në një stacion të zhurmshëm e plot jetë. Delegate nga Gjilani, nga Prekazi, vendlindja e heroit Adem Jashart, nga Prishtina dhe gjithë Kosova, nga Shkupi, artistët e teatrit shqiptar në Nju Jork etj, bujtën për një natë në qytetin e Fierit mes dashurisë vellazërore, bujarisë dhe mikëpritjes. Ata u pritën edhe nga kryebashkiaku i Fierit, Baftjar Zeqaj, duke improvizuar kwshtu historinw para 100-vitesh.

Pasi kaluan në këmbë, me karrocë dhe mjete në shëtitoren kryesore të qytetit, të shoqëruar nga tingujt e muzikës dhe të veshur me Flamurin Kombëtar, ata ndoqën kalendarin e veprimtarive artistike të organizuara nga bashkia në përkujtim të jubileut të Pavarësisë. Me mjaft emocion u ndoq dokumentari historik kushtuar Hymnit të Flamurit. Gjithashtu, ata moren pjesë në ngritjen e një flamuri të madhësisë 500 m2 në godinën e Universitetit “Kristal”.

BERISHA: U ÇEL GALERIA E KRENARISË KOMBËTARE
Ora 12:39- Sot rreth orës 12:00 një tjetër aktivitet kulmoi në Muzeun Historik Kombëtar, ku në kuadër të manifestimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë u çel ekspozita e Prof. Eqerem Zenelaj. 

Në fjalën e tij përshëndetëse autori tha se e ka hapur këtë ekspozitë “Që historia të jetë ashtu siç është. Në veprat e mia nuk e kam falsifikuar historinë, ne e kemi të bujshme dhe krenare, kemi figura madhore. Kjo ekspozitë është dhuratë për Muezun Kombëtar me rastin e 100- vjetorit”, tha autori.

Ndërsa kryeministri Berisha i pranishëm në këtë ceremoni, u shpreh se kjo ekspozitë është galeria e krenarisë kombëtare.
“Dëshiroj të shpreh falenderimin dhe mirënjohjen për punën e shkëlqyer që profesor Zenalaj ka bërë në arkivat e huaja, për jetën e shqiptarëve dhe ia ka dalë të na paraqesë këtu në një moment kulmor të kombit, të paraqesë portretin e shqiptarëve më të shquar nga koha e Skënderbeut deri më sot, që vijnë nga penelat e piktorëve botërorë. Kjo është galeria e krenarisë kombëtare. Galeri në historinë e madhe të Evropës dhe njerëzimit”, tha Berisha

Sipas tij, “Ky 100 vjetor është leksion i madh për shqiptarët për të njohur vlerat e së shkuarës dhe gabimet”.

CELET PANAIRI “BLEJ PRODUKTE SHQIPTARE”
Ora 11:30- Ashtu sic ishte parashikuar, në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë është celur sot edhe panairi
“Blej produkte shqiptare” në rrugën “Murat Toptani” e njohur ndryshe edhe si Pedonalja.
Që në orët e para të hapjes, panairi ka ngjallur kureshtjen e vizitorëve, pasi aty tregtohen vetëm produkte shqiptare.

VLORË, MBËRRIJNË “3 UDHËTARËT E PAVARËSISË” NGA KOSOVA
ORA 11:28 Tre udhëtarët këmbësorë të udhëtimit të Pavarësisë kanë mbërritur mesditën e sotme në qytetin e Vlorës. 
Ibrahim Laci, Cahil Beqja, Zemri Bushi, Rexhep Shkreta u nisën në datën 16 nëntor nga Hani i Elezit në Kosovë për të përshkruar rrguën drejt qyteti të Flamurit në këmbë, por gjatë rrugës ato mbeten vetëm tre pasi bashkëudhëtari i katërt u lëndua në këmbë. Udhëtarët e Pavarësisë u pritën nga nën kryetari i bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika. 

PËRKUJTOHET NGRITJA E FLAMURIT NË TIRANË, INAUGUROHET MOZAIKU I FLAMURIT
Ora 11:00- Edhe pse ka disa javë që kryeqyteti ka nisur përgatitjet për të kremtuar këtë jubile të rëndësishëm për kombin, sot startuan disa prej aktiviteteve të organizuara nga Bashkia e Tiranës. Në orën 11:00 u përkujtua 100- vjetori i ngritjes së flamurit në Tiranë, si dhe u inaugurua mozaiku i rrallë i flamurit kombëtar, të gdhendur në gurë.

Vepra e Gëzim Hidrit është realizuar me gurë të përzgjedhur nga vende ku janë zhvilluar beteja për mbrojtjen e trojeve shqiptare ndër shekuj, ndërsa prej ditës së sotme do vendoset në kryeqytet pranë Urës së Tabakëve.

“Si sot 100-vjet më parë në këtë vend u ngit flamuri i Pavarësisë në Tiranë. Sot në këtë ditë të rëndësishme për qytetin tonë që ka nisur festën në cdo lagje, unë dua të ndalem dhe të nderoj firmëtarët e ngritjes së flamurit të Pavarësisë në Tiranë. Mirënjohje për jetë për ta dhe familjen e tyre”, tha Basha ndërsa shtoi se, “Jemi mbledhur sot pikërisht në vendin ku u ngrit flamuri për të vendosur një mozaik të rrallë, të gdhendur në gurë .Ky mozaik është autentik, një vlerë e thellë dhe e vjetur e qytetit tonë, gurët janë mbledhur në trevat shqiptare, në vendet ku janë zhvilluar disa nga betejat më të përgjakshme”, shtoi ai.

Basha deklaroi gjatë nisjes së aktiviteteve festive se Tirana është sot qyteti që rrezaton shpresë dhe besim për mbarë kombin shqiptar.

“Para 100 vitesh Tirana qytet i vogël me zemër të madhe dhe bujare,. Qytetarët e Tiranës hapën dyert dhe zemrat më pas për shqiptarët nga treva të tjera. Ky qytet nisi të rritej së bashku me Shqipërinë e pavarur, deri sa u bë kryeqendra e kombit shqiptar. Tirana është sot qyteti që rrezaton shpresë dhe besim anë e mbanë kombit shqiptar. Zoti e bekoftë Tiranën tonë të bukur, zoti e bekoftë Shqipërinë”, tha ai.

“ISMAIL QEMALI MBËRRIN NË DURRËS”

Ora 09:50 Në vigjilje të 100 vjetorit të pavarësisë, atmosfera festive ka përfshirë Shqipërisë. Teksa nga Kosova kalorësit kanë nisur udhëtimin historik për të risjellë dhe përjetuar hapat e Isa Boleitnit drejt Vlorës, në qytetin e Durrësit qindra qytetarë kanë pritur mbërritjen e Ismail bej Vlorën në port.

Në portin e Durrësit mëngjesin e sotëm është improvizuar ardhja e Ismail Qemalit me një anije nga Italia, ndërkohë që qindra të rinj me flamur në dorë kanë përshëndetur ardhjen e “arkitektit” të pavarësisë së Shqipërisë. 

Historia është rikthyer në Durrës, si për të përjetuar të njëjtat emocione të 26 Nëntorit të vitit 1912, ku Ismail bej Vlora mbërriti në Durrës, por sot ai është pritur nga kryetari i Bashkisë, Vangjush Dako, të cilit i ka dorëzuar flamurin kuq e zi. Qindra qytetarë skuqën sheshin e qytetit bregdetar si për ti uruar mirëseardhjen plakut të urtë të Vlorës.

Datë 26 Nëntor:
11:00 Ceremoni përkujtimore për ngritjen e flamurit në Tiranë, 100 vjet më parë –Inaugurimi i Mozaikut të Flamurit
11:30 Nisja e panairit “Blej produkte shqiptare” (rruga “Murat Toptani”)
11:30 Ekspozita historike e AQSH “100 vjet Tirana” (trotuari përpara Galerisë Kombëtare të Arteve)
12:00 Koncert me grupe rock (rruga “Murat Toptani”)Unit Band; Xhejn Kumria; The Room; Marsela Çibukaj; Grupi Na; Burn; Renis Gjoka Band
17:00 Ceremonia e inaugurimit të sheshit “Shqiponjës” (rrethrrotullimi i Doganës)
18:30 Koncerti filarmonik i Orkestrës Rinore Shqiptare, drejtuar nga dirigjenti Aldo Ceccato (TKOB)
20:00 Koncert me këngë patriotike, me këngëtarë e grupe Rap (rruga “Murat Toptani”) Big Basta; Lazy feat Elia; Bimm-Bima; Egen Nr; Noizy; Tuna; Mc Kresha; Lyrical Son; Lavda; Dafina Zeqiri

Datë 27 Nëntor:
10:00 Vazhdon panairi “Blej Produkte Shqiptare”
10:00 Koncert me këngëtarë të rinj (rruga “Murat Toptani”)
11:00 Prezantimi i përmbledhjes me këngë patriotike (Teatri i Metropolit)
15:00 Ceremonia e përurimit të shtatores së heroit Adem Jashari (rruga e Durrësit)
20:00 Koncert me grupe rock, me këngë patriotike (rruga “Murat Toptani”)
Renis Gjoka; Kamela & Top Show Band; Valon Shehu; Grupi Na; Grifshat; Vedat Ademi

Data 28 nëntor:
Aktivitetet nisin nga ora 10.00-14.00
Rruga “Murat Toptani”:
* Panairi “Blej produkte shqiptare”
* Koncert me këngë të muzikës së lehtë dhe popullore
Eranda Libohova; Eni Koci; Ardian Trebicka; Soni Malaj; Redon Makashi; Greta Koci; Elton Deda; Valon Shehu; Mentor Haziri; Elhaida Dani; Bojken Lako; Alban Skënderaj
* Ekspozita “100 vjet Tirana” – (trotuari i GKA)
Lulishtja tek parku “Rinia” (tek Shatërvani)-Këndi i Fëmijëve:
* Telajo për pikturën me temë “100 vjet Pavarësi – Shqipëria ime” (12m*1.5m)
* Koncert për fëmijë (Qendra Kombëtare për Fëmijë, shkolla e Baletit, Liceu Artistik etj)
* Teatër për fëmijë (Teatri i Kukullave)
* Animatorë (lojra, pikturime në fytyrë, tullumbace)
* Foto point me personazhe të Pavarësisë
Lulishtja “Tre Vëllezërit Frashëri”:
* Koncert për të rinj (Akademia e Hollivudit, Liceu Artistik, shkolla e Baletit)
Ura tek rruga “Ibrahim Rugova”:
* Performancë e Cirkut
Rr. “Ismail Qemali” (pedonale):
* Ekspozitë pikture, telajo, teatër rruge, performanca me vegla muzikore nga Akademia e Arteve dhe Teatri i Metropolit
Përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”:
* Foto point me personazhe historike
* Rreth 100 animatorë, të veshur me veshje popullore e personazhe të lidhura me festën, që shpërndajnë flamurë të vegjël dhe organizojnë lojra
sheshi “Skënderbej”:
* Ceremonia e prerjes së Tortës (TKOB)
* Hedhja e parashutistëve të Red Bull me Flamurin Kombëtar (B.W)