Lajme Shqip Friday, 28 June 2013 15:04

Prishtinë – Ratifikimi i djeshëm i marrëveshjes Thaçi-Daçiq në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ia hapi derën formalizimit dhe legalizimit të autonomisë së Asociacionit të komunave  serbe brenda Kosovës, dhe pushtetit politik të Serbisë përmbi Kosovë. Kjo marrëveshje, e cila kishte filluar së zbatuari edhe pa u ratifikuar, i prodhoi efektet e para të dëmshme të saj: komandant policie në Kosovë u bë polici i Milosheviqit, dhe bashkëpunëtori i kriminelit Veselinoviq, Nenad Gjuriqi. Zgjedhjet lokale na i shpalli Daçiqi, ndërkohë që Buxheti paralel i autonomisë tashmë është futur brenda rishikimit të buxhetit të Kosovës, thotë Vetëvendosje përmes një kumtese dërguar medieve. 

Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje përdhosi dhe shkeli secilën procedurë dhe rregull institucional e kushtetues në Kosovë. Marrëveshjes asnjëherë nuk iu vlerësua kushtetutshmëria as nga Komisioni për Legjislacion e as nga Gjykata Kushtetuese. Marrëveshja kaloi vetëm nëpër Komisionin për Legjislacion të Kuvendit pa u shqyrtuar fare nga komisionet tjera, e veçanërisht nga ai për Politikë të Jashtme. 

Asnjë dëgjim publik për Marrëveshjen nuk pati mundësi ta organizojë Komisioni për Politikë të Jashtme i Kuvendit me Kryeministrin si kryenegociator dhe me Ministrin për Punë të Jashtme, për shkak të refuzimit të turpshëm dhe gënjeshtar të këtyre të fundit. Ajo nuk i ka as predispozitat themelore të një marrëveshje ndërkombëtare, dhe as që konsiderohet e trajtohet e tillë nga të gjitha palët. 

Këto shkelje procedurale janë dhunimi i vërtetë i Kuvendit, demokracisë, përfaqësimit dhe idesë e rendit të Republikës. Sepse kjo marrëveshje është goditja më e drejtpërdrejtë dhe më e rëndë drejtuar Republikës së Kosovës (si fund i një procesi që filloi me çmontimin gradual të Republikës në këto negociata me Serbinë dhe për faktorizimin e saj).

Ne dje kemi protestuar për ta pamundësuar ratifikimin e kësaj marrëveshje. Kemi tentuar që së pari ta bëjmë duke bllokuar hyrjen e deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Mijëra qytetarë i janë përgjigjur thirrjes sonë për demonstratë dhe i janë bashkuar aktivistëve të Vetëvendosjes që në orën 9:00 të mëngjesit, për të bllokuar pesë hyrjet kryesore të Kuvendit me trupat tanë. 

Këtë gjë ne kemi arritur ta bëjmë me sukses, deri në momentin e ndërhyrjeve brutale të policisë ndaj demonstruesve. Gjatë kësaj ndërhyrjeje u arrestuan 68 aktivistë, nga të cilët 10 po mbahen akoma. Jo rastësisht, janë ndaluar edhe disa aktivistë që kanë funksione dhe përgjegjësi shtesë në Vetëvendosje.Të ndaluarit janë: Arsim Maqastena, Aktivist, Qendra në Vushtrri; Bekim Shkodra, Aktivist Qendra Gjilan; Blerim Maqastena, Sekretari organizativ Qendra Besianë; Dardan Molliqaj, Sekretari organizativ i VETËVENDOSJE!s; Frashër Krasniqi, Drejtuesi i Sekretariatit te aktiviteteve; Hysen Durmishi, Anëtar i Kryesisë; Lirim Gashi, Kryetar i Qendrës Artanë; Luan Hoti, anëtar i Këshillit të përgjithshëm; Xhelal Sveçla, Sekretar për Marrëdhënieve me jashtë; Zgjim Hyseni Drejtues i Sekretariatit për Ngritje Ideo-politike.

Veprat e tyre policia i ka cilësuar si shkelje penale, pa dhënë asnjë shpjegim shtesë se çfarë paskan bërë këta aktivistë që na qenka vepër penale.