Lajme Shqip Tuesday, 21 June 2011 14:54

Tiranë – Lideri I LSI-së, Ilir Meta, në një prononcim për mediat, duke iu referuar seancës gjyqësore të një dite më parë të zhvilluar në Gjykatën e Lartë, adresoi akuza ndaj Prokurorisë duke e cilësuar procesin e tij “si politik”.

“Dje ka nisur një proces politik i cili është i tillë për shkak të shkeljeve të qëllimshme të bëra nga institucioni i prokurorisë i cili nuk ka patur dhe nuk ka si qëllim për të zbardhur të vërtetat, por zvarritjen e këtij procesi dhe mbajtjen peng të imunitetit tim”, deklaroi kreu i LSI-së.

Sipas tij, organi i akuzës e keqpërdori këtë çështje kryesisht  për arsye të zgjedhjeve të 8 majit edhe pse prokuroria ka patur të gjithë kohën për të ecur pëpara në këtë hetim.

Meta vuri në dukje se “vetëm dy ditë para 8 majit prokuroria më komunikoi se isha marrë i pandehur ndërkohë që ajo ka qënë në mënyrë të njëanshme pikërisht në krahun e anti-ligjit”.

Duke e cilësuar këtë proces si të pavlefshëm, kreu i LSI-së theksoi se “nuk ekzisiton asnjë provë materiale e ligjshme jo në kuptimin procedurial por në kuptimin thelbësor pasi edhe nga ekspertiza e bërë nga prokuroria në mënyrë të paligjshme del qartë se kemi të bëjmë me mungesë të provave orgjinale dhe me një kasetë të montuar”.

Më tej, Meta deklaroi se çështja e videos do të ndiqet edhe më tej nga ekspertët ndërkombëtarë, ndërsa konfirmoi edhe pjesmarrjen e tyrë në seancat gjyqësore.

“Ata kanë konfirmuar vullnetin e tyre për të marrë pjesë në këto seanca për të treguar që ajo video që qytetarët kanë parë, është një manipulim total sidomos përsa i takon tirtrave, shifrave dhe gjithë atyre pjesëve të thurura me aq kujdes vetëm për të dëmtuar dhe kompromentuar figurën time”, nënvizoi Meta.

Githashtu kreu i LSI-së përshëndeti mesazhin e dhënë një ditë më parë nga ministrat e Jashtëm  të BE-së për vlerësimin e zgjedhjeve të 8 majit si dhe apelin drejtuar forcave politike për të respektuar institucionet dhe vendimet e tyre lidhur me çështjet e zgjedhjeve.

“Mesazhi më i  rëndësishëm është që pas përfundimit të këij procesi të nisë puna për reformën zgjedhore dhe që e gjithë politika shqiptare të përqëndrohet në përmbushjen e 12  pikave të prioriteteve të bëra të qarta nga KE dhe BE”, përfundoi Ilir Meta.