Lajme Shqip Thursday, 16 June 2011 21:01

Tiranë – Mirëmbajtja e rrugës Durrës-Kukës-Morinë, e njohur si “Rruga e Kombit”, brenda vitit të ardhshëm do të jepet me koncesion, çka do të thotë se mjetet e transportit në këtë rrugë do të paguajnë taksë për mirëmbajtjen e saj.

Ministria e Punëve Publike dhe e Transportit bëri të ditur se “privatizimi i mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit do të realizohet nga Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), me synim garantimin e një shërbimi cilësor”.

IFC, pjesë e Bankës Botërore, u kontraktua nga Qeveria Shqiptare në janar të këtij viti dhe aktualisht, po bën një studim të përgjithshëm me tre ekipe pune; financiar, ligjor dhe teknik. Studimi synon përmirësmin, funksionimin dhe mirëmbajtjen e autostradës dhe mundësinë për të aplikuar taksën e rrugës.

Dhënia me konçesion e mirëmbajtjes së rrugës vjen si nevojë e domosdoshme e Qeverisë për të ulur kostot e mirëmbajtjes, të cilat aktualisht sipas MPPTT, rezultojnë me një shumë prej 45.2  milionë euro ose 1.2 % e GDP-së  vendit dhe 4.0 % buxhetit kombëtar

Kjo praktikë e njohur në të gjitha vendet perëndimore, ka procedura ligjore dhe transparente, përmes të cilave do të ftohen investitorët më të rëndësishëm të huaj për të marrë pjesë në tender.

Në këtë kuadër, MPPT do të hartojë manualin e mirëmbajtjes rrugore dhe pritet të aplikohet përdorimi i kontraktorëve të vegjël për mirëmbajtjen rutinë dhe i kontraktorëve më të mëdhenj për mirëmbajtjen periodike.

Autostrada Durrës-Kukës-Morinë është projekti më i madh rrugor shqiptar.

Ajo ka një gjatësi prej rreth 170 km dhe mund të përshkohet në 2.5 orë, me një shpejtësi prej 80-120 km/h.

Punimet për ndërtimin e kësaj autostrade kanë nisur në nëntor të vitit 2006 dhe përfunduan në Qershor të 2009.

Autostrada përbëhet nga dy segmente kryesore Durrës-Milot, që ka një gjatësi prej rreth 59 km dhe Milot-Morinë, rreth 111.

Përgjatë këtyre segmenteve janë ndërtuar 27 ura, që së bashku  kanë një gjatësi prej 4 km dhe Tuneli i Kalimashit, vepra më madhore e kësaj rruge, me një gjatësi prej 6 km.