Lajme Shqip Thursday, 09 February 2012 12:31

Prishtinë (PLOTESUAR, 9 shkurt, 16:00) Është refuzuar kërkesa e prokurorit Salustro për të arrestuar Fatmir Limaj dhe trupi gjykues sapo ka vendosur që ish ministri të mbetet në arrest shtëpie.

Trupi gjykues ka vendosur që arresti i shtëpisë të vazhdojë edhe për 2 muaj të tjerë nën masa të rrepta sigurie, çka përfshin faktin se nuk do të përdoren më automjete civile por vetëm të policisë apo automjete zyrtare të organeve të sigurisë.

Në rast shkelje të këtyre masave, prokurori ka paralajmëruar se do të urdhërojë arrestimin e Limaj.

***********************

Prishtinë (PLOTESUAR 9 shkurt, 13:50)-Një burim i portalit LajmeShqip.com thotë se Prokurori Salustro ka kërkuar sot arrestimin dhe paraburgosjen e ish ministrit të transporteve Fatmir Limaj.

Burimi saktëson se në ora 15:30 pritet të merret vendimi nëse do të arrestohet dhe paraburgoset Fatmi Limaj apo jo.

***********************

Prishtinë (PLOTESUAR, 9 shkurt 13:15) Prokurori Maurizio Salustro nuk do të thirret si dëshmitar në rastin Kleçka, raportoi pak më parë KTV-ja. Trupi gjykues ka hedhur poshtë kërkesën e mbrojtes për ta thirrur italianin të dëshmojë rreth akuzave kundër tij, të ngritura nga dy prej dëshmitarëve kryesorë, Agim Zogaj dhe bashkëshortja e tij, Ganimete Thaçi.

Sipas kryesuesit të panelit të gjyqtarëve, vendimi është marrë në bazë të nenit 1.5.8 të Kodit Penal të Kosovës, se nuk janë përmbush kushtet për ta thirrur Salustron si dëshmitar.

Po ashtu në seancën e sotshme të rastit “Kleçka”, është shtyrë gjykimi për 28 shkurt, pasi gjyqtarja vendore e panelit, Shqipe Qerimi, është e sëmurë dhe e ka të pamundur të marrë pjesë.

Në seancën e radhës do të diskutohet për besueshmërinë dhe pranueshmërinë e provave të dëshmitarit X. Mbrojtja e Limajt ka propozuar që si dëshmitar në këtë fazë të thirret eksperti grafolog nga Shqipëria. Prokurori ka kundërshtuar, duke thënë se trupi gjykues nuk është i plotë dhe vendimi s’mund të merret.

**************************

Prishtinë-Pas shtyrjes të seancës së radhës një ditë më parë të shqyrtimit gjyqësor në rastin “Kleçka”, procesi ka rinisur sot në orën 10 në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Në seancën e sotme pritet që trupi gjykues i përbërë nga dy ndërkombëtar dhe një vendor, të japin vendimin e tyre për thirrjen ose jo të prokurorit të këtij rasti, Maurizio Salustro, në cilësinë e dëshmitarit.

Ne seancën që u mbajt të martën, mbrojtja paraqiti

argumentet se pse prokurori Salustro duhet të thirret në cilësinë e dëshmitarit.

Për këtë çështje mbrojtja mbështetet në faktin se në ditarin e dëshmitarit “X”, tashmë i ndjeri Agim Zogaj, ka shkruar se prokurori Salustro e ka keqtrajtuar atë gjatë marrjes në pyetje si dhe në një padi që e ka ngritur ngaj prokurorit edhe gruaja e “X”-it, Ganimete Thaçi-Zogaj.

Avokati mbrojtës i Fatmir Limajt, Karim Khan e ka konsideruar të domosdoshme për ecurinë e mëtejshme të procesit marrjen në pyetje të prokurorit duke shprehur madje edhe gatishmërinë që ta bëjë këtë edhe në një seancë të mbyllur.

Po ashtu ai ka deponuar para trupit gjykues një tjetër dokument që është pranuar si provë e që ka të bëjë me letrën e Agim Zogajt të nëntorit të vitit të kaluar që ngrit akuza kundër Salustros.

Vetë prokurori ka thënë se duhet të thirret si dëshmitare bashkëshortja e Zogajt për ta sqaruar çështjen e kësaj letre si dhe nëntë ish bashkëpunëtor të tij të EULEX-it përktiazi me akuzat, por ai nuk ka nevojë që të dëshmoj.

Nëse trupi gjykues merr vendim për thirrjen e Salustros si dëshmitar, atëherë ai automatikisht sipas mbrojtjes duhet të përjashtohet nga udhëheqja e këtij rasti. (LajmeShqip.com)