Lajme Shqip Friday, 24 June 2011 15:33

Tiranë – Biznesmeni Mihal Delijorgji dëshmoi sërish sot në Gjykaten e Tiranës për çështjen “Gërdeci”.

Në dëshminë e tij para Gjykatës, i pandehuri Delijorgji ka mohuar përgjegjësinë e tij lidhur me procesin e demontimit të municioneve luftarake në fabrikën e Gërdecit dhe kushtet e punës në fabrikë.

Sikurse deklaroi ai, “me demontimin e municioneve luftarake apo anën teknike të procesit,  merrej përfaqesuesi i kompanisë “SAC”, shtetasi amerikan Patrik Henry, që kishte sjellë edhe një mbikqyrës në fabrikë.

Sipas tij, kompania “SAC”, me përfaqësues Patrick Henry, ka vepruar në Gërdec mbi bazën e një kontrate me ministrinë e Mbrojtjes për demontimin e municioneve luftarake.

Ashtu si një seancë më parë,  përfaqësuesi i firmës “Alba Demil”, që ishte angazhuar në Gërdec, Mihal Delijorgji, deklaroi se ai  ishte thjesht një investitor.

Si të pandehur në procesin për çështjen “Gërdeci”, janë  29 persona, në pjesen me te madhe ish- funksionare te larte te ministrise se Mbrojtjes dhe Ushtrisë.  Ata akuzohen si pergjegjes per ngjarjen e ndodhur ne 15 mars te 2008 ne Gerdec, kur si pasojë e shperthimit në ish- fabriken e demontimit te municioneve luftarake, humben jeten 26 persona, ndersa u plagosen shume te tjere.

I nisur prej mese nje viti, procesi aktualisht eshte fokusuar te pyetja e te pandehurve nga prokuroria.