|
|
e Enjëte, 21 Qershor 2012 17:20 Prishtinë – Fabrika e çimentos SharrCem po dyshohet se është përfshirë në një manipulim të madh me çimento.
Këto dyshime janë shtuar edhe më shumë pas ndalimit të 12 cisternave të kësaj fabrike në terminalin doganor të Hanit të Elezit, mesnatën e së martës, që thuhet se po transportonin në mënyrë jo të rregullt çimento nga Maqedonia për në Kosovë.
Këto cisterna ishin lajmëruar në doganë se po bartnin lëndë të parë (klinker), të destinuar për SharrCem.
Burime të gazetës Express brenda Doganës kanë thënë se mostrat e analizuara kanë rezultuar se ajo nuk ishte klinker, por çimento e ngarkuar në fabrikën e Usjes, pronë e Titan Grup (Maqedoni), që po dërgohej për paketim në fabrikën e të njëjtit pronar në Kosovë.
Megjithatë, zyrtarë të kësaj kompanie kanë mohuar të ketë ndodhur një gjë e tillë.
Në përgjigjen e zyrës për informim të kësaj fabrike dhënë gazetës thonë se nuk është e vërtetë që SharrCem është duke importuar çimento, por është duke importuar lëndën e parë si gjithnjë për shkak se nuk ka mjaftueshëm në Kosovë dhe se këto informata mund të verifikohen në në Doganën e Kosovë.
“12 cisternat e ndaluara në doganë janë në kuadër të investimeve të vazhdueshme të Sharrcemit dhe janë pajisje makinerike. Nuk ka ndonjë arsye valide për t’i ndalur. Ne jemi duke pritur një arsyetim nga Doganat e Kosovës në lidhje me këtë”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga zyra për informim e SharrCemit.
Sipas tyre, SharrCem momentalisht është duke prodhuar me kapacitet të plotë dhe posedon kapacitet të mjaftueshëm për t’i përmbushur nevojat e tregut të Kosovës duke prodhuar kështu mbi 800 mijë tonë çimento në vit.
Por, pohimet e fabrikës lidhur me atë se çfarë bartnin cisternat e ndaluara nga dogana nuk janë aspak të përafërta me deklaratën e institucionit që po merret me këtë rast.
Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci nuk përmend askund se kanë ndaluar makineri të destinuar për SharrCem. Ai thotë se oficerët doganorë i kanë ndaluar ato me dyshimin se po bartnin çimento, ndërsa kishin deklaruar se ishin ngarkuar me lëndë të parë të këtij produkti.
“Dogana e Kosovës i ka ndaluar këto cisterna, nën dyshimin se po bartnin çimento. Janë marrë mostrat dhe po bëhet verifikimi për të vërtetuar nëse është lëndë e parë si është deklaruar apo çimento”, ka pohuar Stavileci.
Gazeta Express ka kontaktuar edhe me përfaqësues të kompanive importuese të çimentos, të cilët pa dashur t’iu përmendet emri, kanë thënë se kanë fakte të shumta që SharrCem po përdoret nga pronari TitanGroup, vetëm për paketim të çimentos që e sjell nga fabrikat prodhuese në rajon.
“Ne e dimë shumë mirë se këta nuk kanë kapacitet me mbulu tregun e Kosovës. Por janë duke e prurë prej Maqedonie dhe Serbie çimenton e gatshme me cisterna”, thotë ky përfaqësues.
Përfaqësuesit e bizneseve thonë se Sharr Cem e ka vënë në lajthitje edhe Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë, e cila javën e kaluar ka marrë vendim që ta rrisë taksën e importit për çimento në emër të mbrojtjes së prodhuesit vendës.
Ndërkaq, nëse vërtetohet se fabrika, të cilën e mori në mbrojtje shteti, ka keqpërdorur këtë veprim, burime të gazetës thonë se do të merren masa për të gjitha importet që i ka bërë kjo ndërmarrje deri më tani, në emër të lëndës së parë.
Statistikat e doganës për importin e çimentos që nga dita e hyrjes në fuqi të vendimit të ministrisë së tregtisë për rritjen e taksës në çimento në 35 për qind, 11 qershor deri më 16 qershor, në Kosovë janë importuar 18.9 milionë kilogramë çimento, në të cilën sasi përfshihet edhe klinkeri si lëndë e parë.
Nga Maqedonia, të dhënat tregojnë se janë importuar gjatë kësaj kohe 6.1 milionë kilogramë, derisa nga Shqipëria 10.2 milionë kilogramë. (G.E)