Lajme Shqip Tuesday, 09 October 2012 11:24

Prishtinë  – Njëri nga të akuzuarit në rastin “Bllaca” është arratisur. Driton Hajdari është larguar nga shtëpia e tij në “Kodrën e Trimave” dhe nuk dihet vendndodhja e tij.
Burime të afërta me procesin kanë thënë se Hajdari ka qenë duke pritur vendimin e Gjykatës Supreme për masën e arrestit. Posa ka kuptuar se Supremja ia ka shndërruar masën e arrestit shtëpiak në paraburgim, për shkak të mosrespektimit të kësaj mase, ia ka mbathur. “Policia e EULEX-it po e kërkon Hajdarin gjithandej. Ka shkuar disa herë në shtëpinë e tij, por nuk e ka gjetur”, ka thënë një burim.

Arratisjen e ka konfirmuar tërthorazi. Zëdhënësja për drejtësi në EULEX, Bardha Azari, ka thënë se Policia nuk po e gjen Hajdarin për t’ia dhënë vendimin e Gjykatës Supreme. “Javën e kaluar Gjykata Supreme e Kosovës ka pranuar kërkesën e prokurorit të EULEX-it nga Prokuroria Speciale për të ndryshuar masën ndaj Driton Hajdarit nga arresti shtëpiak në paraburgim”, ka thënë Azari.

“Ai (prokurori v.j.) nuk ka mundur që t`i tregonte Hajdarit për masën e re, ngase i dyshuari nuk po mund të gjendet nga policia”, ka konfirmuar ajo. Driton Hajdari është njëri prej të akuzuarve në rastin “Bllaca 2”. Ai akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë të dy zyrtarëve të LDK-së, Ismet Arifit dhe Adem Salihajt. Avokati i Hajdarit, Ramiz Krasniqi, ka thënë se nuk e di nëse klienti i tij është arratisur apo është në shtëpi.

“Jo nuk e di. Ne kemi një seancë më 15 tetor dhe pres që të shkojë në seancë”, ka thënë Krasniqi. Nëse deri atëherë nuk kapet Hajdari, seanca pritet të fillojë me dy të akuzuar më pak. Ajo do të mbahet vetëm me Shpresim Ukën, Shaban Sylën e Bekim Sylën. Para një muaji Gjykata ka veçuar rastin kundër Fahredin Gashit për shkak të problemeve shëndetësore. Moskapja e Driton Hajdarit pritet t’i sjellë telashe procesit për shkak se lënda kundër tij duhet të veçohet. Arrestimi i tij pas shpalljes së aktgjykimit kundër të tjerëve duhet të nisë prej fillimit. E nisja nga fillimi nënkupton thirrjen e dëshmitarëve dhe leximin e provave një nga një.  

Hajdari është njëri nga “invalidët e luftës” që përfiton kujdes shtetëror pa qenë kurrë në luftë. Tre mijë e 200 e 40 euro në vit shteti e shpërblen atë për kontributin e tij që ka dhënë për vrasjen e Ismet Arifit të mbetur në tentativë. 270 euro në muaj derdhen në llogarinë e tij bankare.Hajdari i lindur më 12 qershor 1980 akuzohet edhe për vrasjen në tentativë të Adem Salihajt. Kjo përpjekje kishte ndodhur më 12 qershor 2000. Për këtë krim akuzohen edhe Shpresim Uka dhe Shaban Syla. Bllaca ndërkaq për këto dy krime është shpallur dëshmitar bashkëpunues.

Kundër tij, Shpresim Ukës, Fahredin Gashit, Sadik Abazit, Shaban e Bekim Sylës ka aktakuzë. Të gjithë akuzohen se kanë kryer krime si anëtarë të Shërbimit Informativ të Kosovës. Detaje të plagosjes së Hajdarit jepen edhe në aktakuzë të ngritur nga dy prokurorë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës verën e kaluar. Ata kanë siguruar dosjen mjekësore të Hajdarit të 3 nëntorit 1999. 

“Bllaca më pas ka deklaruar se ai kishte dëgjuar derën tek hapej, një zë femre që fliste, grupin që kishte kërkuar të dilte Arifi dhe më pas të shtënat me armë që ishin bërë. Pas kësaj të gjithë ata kishin zbritur shkallët me vrap duke u larguar. Në atë pikë Bllaca kishte parë Driton Hajdarin që kishte marrë një plagë me armë në fund të shpinës”, thuhet në aktakuzë. Prokurorët Maorizio Salustro dhe Emma Rizato thonë se kanë siguruar dokumentacionin e QKUK-së që tregon se në orën 20 : 20  më 3 nëntor 1999, Driton Hajdari ishte mjekuar nga një plagë me armë zjarri në shpinë. Dëshmia është konfirmuar edhe nga bashkëshortja e Ismet Arifit dhe djali i tij. Prokurorët thonë se Sadik Abazi, Driton Hajdari dhe Bekim Syla e kanë gjuajtur me armë zjarri tek banesa e tij Ismet Arifin. Gjuajtja me armë e viktimës, sipas prokurorëve, që ishte i paarmatosur dhe po përpiqej të ikte me vrap, është një veprim që pa dyshim ka pasur qëllim për ta privuar viktimën nga jeta dhe në këtë mënyrë të veprës penale të vrasjes së mbetur në tentativë.

Hajdari është mik i familjes së deputetit Azem Syla. Ai kishte qenë edhe në dasmën e djalit të Sylës. Prokuroria ka siguruar fotografi të Driton Hajdarit të bëra në këtë dasmë. Deputeti i Kuvendit të Kosovës është marrë në pyetje në Prokurorinë Speciale të Kosovës pas akuzave që kishte hedhur kundër tij Nazim Bllaca, i cili pretendon se ka qenë agjent i SHIK-ut dhe se ka kryer krime me urdhër të Azem Sylës. Për Shpresim Ukën ka thënë se kan lidhje miqësie me familjen e Fahredin Gashit, ka thënë se ka qenë në burg, derisa Shaban Sylën ka pohuar se e ka familjar. Syla ka mohuar se njihet me Driton Hajdarin, mirëpo prokurori i ka treguar një fotografi të Hajdarit në dasmën e djalit të tij. Syla ka thënë se nuk e mban mend. (LajmeShqip.com)