Lajme Shqip Wednesday, 15 June 2011 15:05

Tiranë – Gjykata e Tiranës ka marrë në shqyrtim gjyqësor çështjen ndaj një 29-vjeçari, i  dyshuar për kundërshtim të punonjësit të policisë së Shtetit, gjatë protestës së dhunshme para selisë së Kryeministrisë, më 21 janar 2011.

Lajmi u konfirmua nga burime zyrtare të Gjykatës së Tiranës, të cilat pohuan se bëhet fjalë për çështjen në ngarkim të shtetasit, Feta Mataj, 29 vjeç, banues në Durrës.

I arrestuar pak ditë pas protestës së opozitës para kryeministrisë në 21 janar, 29 vjeçari Mataj u mor nën hetim nga prokuroria e  Tiranës, me akuzën e “kundërshtimit të punonjësit të rendit”. Ndërkohë, me përfundimin e hetimit, çështja ndaj tij i’u dorëzua për shqyrtim gjyqësor, Gjykatës së Tiranës.

Ky shtetas dyshohet se ka goditur me sende të forta punonjësit e policisë në shërbim për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, para kryeministrisë, gjatë protestës së opozitës në 21 janar.

Ditët e fundit, në Gjykatën e Tiranës janë dorëzuar nga prokuroria disa çështje për shtetas që dyshohet se janë përfshirë në akte dhune gjatë protestës së opozitës, në 21 janar, para kryeministrisë.