Lajme Shqip Tuesday, 27 March 2012 16:00

Regjisori hollivudian Xhejms Kameron u kthye shëndoshë e mirë në sipërfaqen e oqeanit, pasi u zhyt në thellësinë 11 kilometra në vendin më të thellë të planetit, në humnerën e Marianeve në paqësor. Ai zbriti i vetëm në thellësinë e detit me një nëndetëse të quajtur “DeepSea Challenger”.

Kameron ju deshën dy orë për të mbërritur në fund të oqeanit dhe më pas ai kaloi aty tre orë duke eksploruar. Nëndetësja e tij ishte e pajisur me kamera dhe drita, në mënyrë që ai të regjistronte gjithçka të mundshme. Xhejms Kameron bëhet kështu njeri i tretë që zbret në fund të oqeanit pas dy të parëve në vitin 1960. Regjisori i filmit “Titanik” tha se misioni i tij ishte realizimi i një ëndrre.

“Unë u rrita me një dietë të fortë fantashkence. Njerëzit po shkonin në hënë, Zhak Kusto eksploronte oqeanet dhe kjo ishte fëmijëria ime”, deklaroi Kameron.

Vitet e fundit, ai punoi në fshehtësi me një ekip inxhinierësh për të përfunduar  nëndetësen, e cila peshon 11 ton dhe është 7 metra e gjatë. Ajo mund të durojë një presion prej 1000 atmosferësh. Ndërsa pritet që Kameron të publikojë një dokumentar për këtë eveniment të jashtëzakonshëm, nuk është çudi që nga ajo të vijnë edhe filma. Në fund të fundit, kushdo do të frymëzohej nga një eksperiencë e tillë në vendin më të thellë të tokës.