Lajme Shqip Friday, 30 October 2015 14:25

Një modele vrau veten për shkak të depresionit të shkaktuar nga zbulimi se burri dhe gruaja që ajo besonte se ishin prindërit e saj ishin në fakt halla dhe burri i saj, ka thënë një mjek ligjor.

Gjykata e ‘Heywood Coroner’ në Mançester kuptoi gjithashtu se gjendja mendore e Nadia Menaz ishte prekur edhe nga frika se ajo do të detyrohej nga familja e saj që të martohej.

24-vjeçarja ishte martuar në një ceremoni islamike më 2011, e cila nuk njihet nga ligji anglez, por çifti që ajo besonte se ishin prindërit e saj nuk e kishin miratuar atë.

Në dhjetor të vitit 2014, ajo përdori ligjin kundër martesës së detyruar kundër “prindërve” të saj dhe tre vëllezërve dhe motrave të saj për t’i parandaluar ata që ta martojnë me forcë me një burrë tjetër.

Pesë muaj pas marrjes së urdhrit, ajo i shkroi burrit që ishte martuar më 2011, Umar Rasool, për t’i thënë se ajo do ta varte veten. Ai e gjeti më pas atë të vdekur kur u kthye nga puna për në shtëpi një ditë më vonë.

Juria morri vesh se ajo ishte sulmuar edhe nga vëllai i saj, i cili e kishte frikësuar atë aq shumë sa që ishte larguar nga shtëpia, raporton Mail Online.

Një patolog arriti në përfundim se plagët që ajo i kishte marrë në qafë ishin vetë-shkaktuar dhe mjeku ligjor tha se nuk kishte ndonjë dëshmi për përfshirje të palës së tretë në këtë rast.

Sipas ‘Manchester Evening News’, Menaz ishte një ish-kadete e ushtrisë dhe si fëmijë dëshironte që t’i bashkohej policisë.

Ajo e braktisi shtëpinë në moshën 16 vjeçe dhe punoi si një modele, planifikuese dasmash dhe si rregulluese lulesh.

Mjeku ligjor Simon Nelson tha: “Mjerisht, Nadia kishte vështirësi që lidhen me ngjarje traumatike të fëmijërisë së saj. Ajo u tha njerëzve se njerëzit që besonte se ishin prindërit e saj ishin në fakt halla dhe burri i saj”.

“Ajo ishte një femër e re dhe e bukur dhe më vjen keq se provat, sipas mendimit tim, dëshmojnë se ajo e ka vrarë veten. Ajo e vrau veten për shkak të depresionit”, shtoi ai.