Lajme Shqip Friday, 30 March 2012 12:31

Angli – Sophie Ray, një 19-vjeçare nga Wrexham i Wales, ka ngrënë prej 8 vitesh vetëm pica Margarita. Që kur ishte 11 vjeç ajo ka konsumuar vetëm picën në variantin me djathë dhe domate dhe asgjë tjetër.

Sigurisht që kjo nuk është përzgjedhja e saj, pasi adoleshentja vuan nga një gjendje e rrallë e quajtur  Selective Eating Disorder (SED), që do të thotë se ajo ka fobi nga të gjitha llojet e tjera të ushqimeve.

Sophie nisi të përzgjidhte ushqimet që në moshën 2-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë që kaloi. E ëma e saj tregon se ajo trembej nga ushqimet, duke menduar se ishin pikërisht ato që i sillnin sëmundjet.

“Nisa të ha makarona me djathë, më pas për katër vite me radhë kam ngrënë sanduiç, dhe më pas mora kurajën të ha pica me djathë dhe domate, prej të cilave nuk kam hequr dorë që prej 8 vitesh”, thotë studentja e arteve.

Adoleshentja tregon se e ka shumë të vështirë në kohën e leksioneve, pasi nuk mund të hajë ushqime të tjera, kështu që ndonjëherë i duhet të qëndrojë gjithë ditën pa ngrënë.

Vajza nuk ka provuar fruta apo zarzavate prej shumë vitesh dhe shprehet e tmerruar qoftë edhe kur ia përmendin emrin. Një ushqim për të sa më shumë ingrediente të ketë, aq më shumë i neveritshëm i duket.