Lajme Shqip Wednesday, 28 March 2012 13:50

Mjekët në Universitetin e Merilendit arritën të realizojnë atë që përshkruhet si ndërhyrja më e zgjeruar e këtij lloji, duke i dhënë Richard Norris-it një fytyrë krejtësisht të re, përfshirë nofullën, dhëmbët dhe gjuhën.

“Është ende një eksperiencë surreale ta shohësh dhe është e vështirë të mos i ngulësh sytë. Përpara njerëzit ia ngulnin sytë Richard-it sepse mbante maskë dhe ata donin të shihnin deformimin e tij. Gjëja më e vështirë ishte të hante. Kur e shihnin fëmijët edhe mund ta pranonte, por i ngulnin sytë të rriturit dhe kjo ishte vërtet një situatë shumë e vështirë”, theksoi kirurgu Eduardo Rodriguez.

37-vjeçari ka jetuar i tërhequr për 15 vjet pas plagosjes së rëndë në një aksident me armë dhe çdo herë që dilte jashtë mbante një maskë në fytyrë. Operacioni u financua nga marina e Shteteve të Bashkuara, e cila shpreson që kjo lloj teknike do të mund t’i vijë në ndihmë edhe të plagosurve në Irak e Afganistan.

Norris kishte humbur në aksident hundën dhe buzët e mund ta lëvizte gojën shumë pak. Sipas Rodriguezit, tani 37-vjeçari mund të fillojë të jetojë sërish.

“Qëllimi ynë ishte rikthimi i funksioneve të plota të fytyrës duke pasur njëkohësisht edhe rezultate të kënaqshme estetike”, shtoi Rodriguez. Ekipi i mjekëve të Universitetit të Merilendit njoftoi se Norris ka rifituar që tani nuhatjen.

Administrata amerikane vlerëson se rreth 200 ushtarë të plagosur që kanë pësuar deformime të kësaj natyre mund të përfitojnë transplante të ngjashme të fytyrës.