Lajme Shqip Sunday, 25 October 2015 12:12

Një vajzë në Tiranë, është ngacmuar në rrjetin social Facebook nga një djalë dhe kur kjo është mësuar nga i dashuri i të resë, ai ka vepruar me shpejtësi duke e gjetur dhe e rrëmbyer “rivalin” e tij.

Ngjarja i ka fillesat nëntorin e kaluar kurse këto ditë, gjykata e Rrethit Tiranë ka dënuar të akuzuarin e kësaj ngjarjeje, 21 vjeçarin nga Tirana, Algert D.

Nga hetimi i kësaj historie, doli se për të futur në kurth “rivalin”, i riu Algert D. ka përdorur profilin e të dashurës së tij në “Facebook”.

Ai i ka shkruar Fatmir C., dhe pasi kanë ndërruar numrin e telefonit, kanë lënë edhe një takim. Duke menduar se do të takohej me vajzën me iniciale E.Sh., me të cilën fliste në “Facebook”, Fatmir C. ka nxituar të shkojë me automjetin e tij tip “Renault” në vendin e takimit, ku është përballur me surprizën e pakëndshme.

Atij i është futur në automjet 21-¬vjeçari Algert D., i cili e ka kërcënuar me një thikë, duke pretenduar se i kishte ngacmuar motrën. Fatmir C. ka vijuar rrugën dhe te “Zogu i Zi” ka kërkuar ndihmën e një patrulle policie, e cila ndaloi personin që po e kërcënonte.

Pak ditë më parë Gjykata e Tiranës shpalli fajtor 21-¬vjeçarin Algert D., për akuzën e “kanosjes” dhe “heqjes së paligjshme të lirisë”, duke e dënuar me 6 muaj heqje lirie, shkruan sot gazeta “Panorama”.

Sipas deklarimit të të dëmtuarit Fatmir C., të zbardhur në vendimin e gjykatës, ai kishte komunikuar në “Facebook” me shtetasen E.Sh., me të cilën kishte shkëmbyer edhe numrin e telefonit.

“Në datën 16.11.2014 është telefonuar nga numri që i është dhënë në ‘Facebook’ nga ana e E.Sh. dhe i është kërkuar të takohen nga ora 20:00 afër kthesës së Kamzës. Ai deklaron se ka shkuar te kthesa e Kamzës dhe nuk ka parë që vajza të paraqitej. Rrugës duke u kthyer për në banesë, në afërsi të karburant ‘K…’, në makinën e tij kishte hipur një mashkull rreth 20 vjeç, i cili i kishte thënë të ecte pasi kishte punë me të, sepse i kishte ngacmuar me komunikime në ‘Facebook’ të motrën”, thuhej në vendim.

Ndërsa i pandehuri Algert D. ka rrëfyer se Fatmir C. i kishte ngacmuar në “Facebook” të dashurën e tij E.Sh.

“Algerti i kishte marrë asaj adresën e ‘Facebook’¬ut dhe kishte vazhduar komunikimet me shtetasin Fatmir, ku dhe kishin shkëmbyer numrat e telefonit. Në datën 16.11.2014, Algerti, duke u hequr sikur ishte shtetasja E.Sh., i ka kërkuar Fatmirit që të takoheshin. Takimi ishte lënë për në orën 20:00 te vendi i quajtur kthesa e Kamzës. Algerti deklaron se makinën ‘Renault’ e ka konstatuar afër karburant ‘K…’ dhe pasi ka hipur në të, i ka nxjerrë thikën që kishte marrë nga shtëpia, pasi nuk dinte se me kë kishte të bënte. Aty i ka thënë Fatmirit që të ecte me makinë, pasi donte të sqarohej lidhur me këtë problem”, zbardhej deklarimi i tij në vendim.