Lajme Shqip Tuesday, 27 October 2015 13:53

Në gusht të këtij viti Idhulli Shigir është pranuar si skulptura më e vjetër prej druri që njihet deri më tani. Arkeologët kanë konstatuar se ajo është 11.000 vjet e vjetër dhe kësisoj i takon periudhës së holocenit apo periudhës së hershme të akullit.

Testet dhe studimet e reja rreth Idhullit misterioz Shigir kanë dëshmuar se në rajonin e Uralit kanë ekzistuar komunitete të zhvilluara, që u ngjasojnë atyre të Lindjes së Afërt për të cilat besohet se kanë sjellë civilizimin në Evropë.

Shoqatat shkencore do të duhej që të hulumtonin prejardhjen e teknologjive dhe shenjave kulturore për të cilat mendohet se kanë ardhur nga Lindja e Afërt, që të përcaktohet roli i vërtetë i kësaj kulture në kornizat evropiane, shkruan sot Koha Ditore.

Mikhail Zhilin, hulumtuesi udhëheqës i Institutit për arkeologji i Akademisë Ruse të Shkencave, është i bindur që gjuetarët, të cilët kanë jetuar në Urale dhe në Siberi para 11.000 vjetëve, kanë arritur nivel të lartë të zhvillimit.

“Kanë jetuar në harmoni me mjedisin jetësor dhe e kanë njohur më mirë sesa mund ta paramendojë njeriu modern”, ka thënë Zhilin. Ekspertët nga Instituti Gjerman i Arkeologjisë kanë konstatuar se Idhulli është punuar nga larshi siberik i sapoprerë dhe ai ka qenë së paku 157 vjet i vjetër kur zanatlinjtë nisën ta përpunonin për realizimin e skulpturës.

Profesori Tomas Terberger beson se Idhulli Shigir është një ndër kryeveprat e kohës së gurit.

“Në bazë të hulumtimeve tona kemi konstatuar se kultura euro-aziatike vjen jo vetëm nga Lindja e Afërt, por edhe nga qendra njësoj të zhvilluara, prej të cilave Urali ishtë mes iguri njëra prej tyre”, ka thënë Terberger.

Me gjithë specifikat e tij, Idhulli Shigir ende është i mbuluar me vellon e misterit. Së fundmi, në pjesën e prapme të Idhullit është zbuluar vizatimi i shtatë, i dukshëm vetëm nëpërmjet mikroskopit. Me 6 gravurat e tjera në dru, ai plotëson tregimin e përbërë nga tetë shenja.

Fatkeqësisht askush deri më tani nuk ka arritur që ta deshifrojë kuptimin e këtij rrëfimi ashtu sikurse as atë se kujt i dedikohej.

Skulptura e Idhullit Shigir është gjetur në vitin 1890 në moçalin midis Yekaterinburgut dhe Nizhny Tagilit në Rusi.

Idhulli është nxjerrë pjesë-pjesë dhe pas bashkimit është konstatuar se është 5.3 metra e lartë. Më vonë pjesa e poshtme e tij prej rreth 1.93 metrash humbi, e pronari i minierës së arit, ku u gjet Idhulli, ia ka dorëzuar mbetjet e skulpturës Shoqatës së Shkencave të Natyrës së Uraleve.