Lajme Shqip Tuesday, 27 March 2012 13:16

Rregullat e qarkullimit rrugor janë njësoj për të gjithë. Rasti më i mirë për të vërtetuar këtë janë disa foto që qarkullojnë në internet, të cilat tregojnë se si policia ndalon dhe gjobit…Batmanin.

Gjithcka ka ndodhur në Maryland të Shteteve të Bashkuara kur agjentët e policisë rrugore ndaluan një makinë Lamborghini Gallardo me ngjyrë të zezë, pasi vunë re më parë që në vend të targës identifikuese, kishte skicën e lakuriqit të natës, simboli i Batmanit.

Menjëherë në rrjetet sociale nisën komentet. Dikush komentoi se bëhej fjalë për skenë xhirimi filmi, por duke qenë se Maryland nuk është Los Anxheles dhe shtëpitë kinematografike mungojnë, vetë policia e Maryland ka dalë me një njoftim në dy profilet e saj zyrtare në Facebook dhe Twitter.

Në njoftim, duke ironizuar thuhet: “Batman u ndalua në rrugën 29, në kryqëzimin Prelude sepse Batmobile nuk kishte targën në rregull”.

Por kush është personi që qarkullon me një makinë 250 mijë dollarëshe i veshur si për karnavale? Në internet qarkullojnë shumë teza, por më interesantja mbetet njëra që thotë se bëhet fjalë për një person të pasur që do të vizitonte spitalet për t’u falur sado pak buzëqeshje fëmijëve, pak a shumë si Bruce Wayne, miliarderi që në film zgjedh të luftojë krimin duke u maskuar si lakuriq nate.