Lajme Shqip Tuesday, 03 November 2015 08:54

Dramaturgu Jeton Neziraj, ka ironizuar me lajmin e para disa ditësh të shpërndarë nga ish zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, që pretendon se ka zbuluar një tempull shqiptar në Azerbejxhan.

“Kullë shqiptare në Gwangju të Koresë së Veriut (Vitet 883- 993) me mbishkrim shqip në hyrje: shpia e shqiptarit ashtë e mikut dhe Zotit!!!”, ka shkruar Neziraj, në komentin e një fotografie të një tempulli që e ka shpërndarë në profilin e tij në Facebook. “I ftoj historianët e Kosovës të vizitojnë vendet ku ishte instaluar Albania koreane, gjegjësisht, pjesën jugore të Chungnam-it në Kore të Veriut. Një sponsorizim të eksploruesve kosovarë për këtë çështje do ta mbështetja me shumë dëshirë. I juaji, J.N.”, ka shkruar më tej dramaturgu Neziraj.

Ditë më parë, Pacolli, në profilin e tij kishte shkruar se do që ta ndante me ndjekësit e tij “një foto nga një tempulli shqiptar që u ndërtua mes viteve 1216-1238 për Hasan Djalalin, i quajtur ndryshe Mbreti i Albanisë (Roi d’Albanie). (Në atë kohë nuk ishte Arbëria apo Shqipëria)”.

“Në këtë Tempull në Azerbaixhan kam parë edhe shkrimet e para me gërma shumë të ngjashme me alfabetin shqiptar. Siç duket, gjuha shqipe është përdorur më herët se ‘’Meshari i Buzukut’’, ose shenjat e para të shqipes të gjetura në Dubrovnik të viteve 1286. Në këtë Tempull kishte shenja të ngjashme me ato që dëshmonin ekzistencën e Albanisë së Kaukazit tre shekuj e gjysmë para erës sonë. I ftoj historianët e Kosovës të vizitojnë vendet ku ishte instaluar Albania Kaukaziane, gjegjësisht, pjesën jugore të Azerbaixhanit, Karabahut dhe pjesën Iraniane të Kaspikut jugperëndimor. Një sponsorizim të eksploruesve kosovarë për këtë çështje do ta mbështetja me shumë dëshirë”, kishte shkruar Pacolli.