|
|
e Martë, 10 Korrik 2012 12:45
New Jersey – Kirurgët kanë hequr një tumor kanceroz, rreth 23 kilogramë, nga një grua e cila e kishte shtyrë kurimin derisa të arrinte të merrte siguracionin shëndetësor.
”Ajo ishte një grua e dobët me një bark të madh. Unë do të thoja se ajo dukej sikur të ishte vërtet shtatzënë,” është shprehur Dr David Dupree, i cili udhëhoqi operacionin e gruas 65-vjeçare, në Riverview Medical Center në Red Bank, New Jersey.
Vetëm 8 javë më parë ajo ishte paraqitur në spital duke u ankuar se ndiente një siklet në stomak dhe se shtimi në peshë rreth 50 kg në pak kohë e kishte shqetësuar. Dupree tha se ajo kërkoi ndihmë mjekësore më 4 Qershor, vetëm pak ditë pas ditëlindjes së saj të 65-të, në momentin që ajo u pranua në ‘Medicare’, programin shëndetësor amerikan për të moshuarit.
“Arsyeja që ajo nuk është paraqitur për t’u diagnostikuar më parë, ishte sepse nuk kishte sigurim shëndetësor,” tha ai. Gruaja ishte paraqitur në spital në gjendje shumë të keqe, me këmbët e bllokuara dhe më një tumor gjigant në bark. Me një trup të dobësuar dhe me një masë tumoriale të madhe në barkun e saj, ajo u fut në një operacion i cili zgjati pesë orë, operacion i cili pati sukses.
Por ky është një rast fatlumë, se neglizhenca e kontrolleve mjekësore mund të shkaktojë pasoja fatale.