Lajme Shqip e Enjëte, 05 Korrik 2012 12:10

Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, qëndroi në radhë dhjetë minuta për të marrë një kafe në një bar të rastësishëm, pasi kamerierja Francesca Ariani e trajtoi si të gjithë klientët e tjerë, ngaqë nuk e njohu.

Ngjarja ndodhi në qytetin e ndodhur në skajin perëndimor të vendit, në Plimuth, gjatë fundjavës.

Në rrugën drejt një parade ushtarake në ditën e Forcave të Armatosura, kryeministri britanik Cameron ndaloi në një bar të rastësishëm, për të kërkuar një kafe të shpejtë.

Megjithatë, përgjigja që ai mori ishte shtangëse: “Po shërbej dikë tjetër në këtë moment, ju lutem prisni”.

Kamerierja, e cila më pas dëshmoi se nuk merrej me politikë pasi nuk besonte se politika mund të ndryshonte jetën e saj, nuk e njohu Cameron dhe rrjedhimisht e la të priste dhjetë minuta, pa e kuptuar se cilit po i shërbente.

Në një moment krize, gjatë së cilës antipatia për politikanët në Britani është e theksuar, papritmas kamerierja u shndërrua në një heroinë kombëtare ditën e martë, kur përfundoi në faqen e parë të gazetave.

Sipas “Daily Mail”, kjo është mënyra me të cilën çdo politikan duhet të pritet. “Mirëserdhe në botën e vërtetë zoti Kryeministër”, thekson titulli i kësaj të përditshmeje britanike.