Lajme Shqip Wednesday, 22 June 2011 19:43

Tiranë – Vendet e Ballkanit duhet të përmirësojnë infrastrukturën dhe të rrëzojnë barrierat për investitorët. Këshilla vjen nga Maxwell Watson, drejtor i kërkimeve në Universitetin e Oxford.

Watson thotë se përmirësimi i koordinuar i klimës së biznesit do të krijonte vetiu një treg unik prej 30 milion banorësh. Në këtë mënyrë, Ballkani mund të rrisë avantazhet konkurruese ndaj rajoneve të tjera në garën për të tërhequr investime të huaja.

“Prioriteti kryesor është tërheqja e më shumë investimeve të huaja në rajon. Por kjo duhet bërë duke e kuptuar rajonin si një treg të madh. Ka dy prioritete politike. Njëra është infrastruktura dhe rrjeti rrugor. Bashkimi Europian ka luajtur një rol të rëndësishëm në nismat për zhvillimin e rrjeteve të transportit dhe atyre të energjitikës. Prioriteti tjetër është klima e biznesit. Çështja është që barrierat e biznesit ndryshojnë nga vendi në vend. Çdo vend duhet të identifikojë pengesat kryesore për investitorët dhe mendojë për një veprim të koordinuar rajonal për t’i rrëzuar këto barriera. Kjo është e vetmja mënyrë për të pasur një treg unik për investimet e huaja. Kjo zonë e Europës po konkurron për investime të huaja me Azinë, me Amerikën e Jugut ose për të parë më afër edhe me Turqinë, që një ekonomi shumë dinamike dhe në rritje”, thotë Watson.

Krijimi i një tregu të përbashkët rajonal nuk është një objektiv i ri, por rruga drejt këtij qëllimi ka njohur pengesa të shumta, si rrjedhojë e marrëdhënieve problematike që vendet e rajonit bartin me njëri-tjetrin prej dekadash.

Por, pasi ekonomitë tona vuajtën pasojat e një krize serioze dhe për të ardhmen shtrohet domosdoshmëria e ndjekjes së një modeli të ri të rritjes ekonomike, ky duket momenti më i përshtatshëm për të dalë mbi paragjykimet historike, në shërbim të interesave të përbashkëta.