Lajme Shqip e Mërkurë, 22 Shkurt 2012 17:36

Në kohën kur e tërë bota po bën përpjekje për t`i ruajtur ndërmarrjet që janë fitimprurëse për një shtet, në Kosovë ndodh e kundërta.

Kështu u tha në tryezën me temën “Ruajtja e pronësisë publike mbi rrjetin e distribucionit të energjisë dhe rreziqet e privatizimit”, organizuar nga Grupi Parlamentar i lëvizjes Vetëvendosje! Kryetari i këtij grupi, Visar Ymeri, tha se vullneti i pushtetit aktual për të zhbërë të vetmen njësi vendore që prodhon me sukses, është skandaloz.

“Kahjen në të cilën po e merr qeveria tash, do t`i sjellë Kosovës më shumë probleme dhe humbje se sa përfitime qoftë Kosovës si shtet apo si shoqëri. Prandaj, është e domosdoshme që të reagojmë të gjithë një zëri në mënyrë që mos ta lëmë këtë vendim kaq të rëndësishëm vetëm në duart e qeverisë”- tha Ymeri.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Sindikatës së Pavarur të Energjetikës së Kosovës, Izet Mustafa, tha se me privatizimin e divizionit të furnizimit dhe rrjetit, jo vetëm që dëmtohet ekonomia e Kosovës, por rrezikohen të mbesin pa punë edhe rreth 2 mijë e 500 punëtorë.

Sipas përfaqësuesve të sindikatës së energjetikës, që nga pas lufta në KEK janë investuar mbi 800 milionë euro, ndërsa edhe përkundër investimeve humbjet mbesin shumë të mëdha dhe fajtor për këtë, sipas sindikatës, është politika e dobët menaxhuese.