Lajme Shqip Tuesday, 27 October 2015 15:22

Gjatë periudhës janar-shtator 2015 vetëm nga importi i veturave dhe duhanit buxhetit të shtetit i janë shtuar mbi 12 milionë euro. Taksat nga importi i makinave të reja ishin 835.967,42 euro që, shprehur në përqindje, 32,61 për qind.

Ngritje më të theksuar kanë pasur taksat nga veturat e përdorura, pasi gjatë kësaj periudhe ato janë ngritur për 14.22 për qind apo 3.672.952,21 euro. Pos ngritjes së taksave për vetura, ngritje për 8.541.078,24 euro apo 9.74 për qind kishte edhe nga taksat e importit të duhanit.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka bërë me dije për gazetën “Epoka e re”, se gjatë periudhës janar-shtator 2015 numri i makinave të reja të importuara ka shënuar rritje për 154 copë që, shprehur në përqindje, 21.94 për qind. Po sipas tij, edhe baza doganore ka shënuar rritje për 2.883.765,91 euro apo 30.57 për qind.

“Taksat në total kanë shënuar rritje për 835.967,42 euro që, shprehur në përqindje, 32.61 për qind. Gjatë periudhës janar-shtator numri i makinave të reja të importuara është 856 copë, ndërkaq për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ky numër ishte 702 copë. Edhe vlera ka shënuar rritje. Gjatë kësaj periudhe e kemi vlerën prej 12,317,226.90 eurosh, ndërkaq në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ajo ishte 9,433,461.00 euro. Si rrjedhojë e kësaj rritje, edhe taksat në total për makinat e reja kanë shënuar rritje. Dogana gjatë periudhës janar-shtator 2015 kap shifrën e 1,210,878.22 eurove, akciza 26,500.00 euro, TVSH-ja 2,162,461.75 euro dhe taksat 3,399,839.97 euro. Gjatë vitit të kaluar vlera e Doganës ishte 917,130.95 euro, akciza 1,620,741.60 euro, TVSH-ja 1,620,741.60 euro, kurse taksat ishin 2,563,872.55 euro”, ka deklaruar ai.

Stavileci ka treguar se importi i makinave të përdorura ka shënuar rritje dukshëm më të lartë sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. “Në periudhën janar-shtator 2015 numri i makinave të përdorura ka shënuar rritje për 1 651 copë apo 14.21 për qind”, ka theksuar ai, duke shtuar se baza doganore ka shënuar rritje për 11.282.513,37 euro që, shprehur në përqindje, 19.94 për qind. “Rritje gjatë nëntëmujorit të parë kanë shënuar edhe taksat në total për prej 3.672.952,21 eurosh që, shprehur në përqindje, 14.22 për qind. Gjatë periudhës janar-shtator 2015 numri i makinave të përdorura është 13 271, kurse vitin e kaluar ky numër ishte 11 620 copë. Akciza gjatë viti 2015 është 9,844,400.00 euro, kurse vitin e kaluar në të njëjtën periudhë ishte 9,135,900.00 euro”, ka bërë me dije Stavileci.

Krahas të hyrave të konsiderueshme nga importi i makinave të reja dhe të përdorura, buxheti ka akumuluar mbi tetë milionë euro nga importi i duhanit.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë se gjatë nëntëmujorit të këtij viti nga importi i duhanit taksat në total kanë shënuar ngritje për 9.74 për qind apo 8.541.078,24 euro. “Sasia (MIL) ka shënuar rritje prej 16.176,43 MIL që, shprehur në përqindje, 0.79 për qind. Po ashtu, edhe baza doganore ka shënuar rritje prej 1.299.165,52 eurosh që, shprehur në përqindje, 3.13 për qind. Si rrjedhojë e kësaj kemi pasur rritje të taksave në total për 8.541.078,24 euro që, shprehur në përqindje, 9.74 për qind”, ka thënë Stavileci.

Ndërsa hulumtuesi në Institutin për Studime të Avancuara (GAP), Berat Thaçi, ka deklaruar se rritja e numrit të makinave të përdorura ka ardhur si rezultat i heqjes së kufizimit të vjetërsisë për makinat.

“Shihet qartë se vendimi i datës 24 mars 2015 i Qeverisë së Kosovës për heqjen e kufizimit të vjetërsisë së veturave të importuara dhe ulja e akcizës për veturat e përdorura ka nxitur importimin e veturave të përdorura. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, në periudhën janar-shtator 2015 importi i veturave të përdorura është rritur për 1 651 copë. Kjo natyrisht se ka rritur të hyrat doganore nga veturat në dëm të ambientit dhe sigurisë në komunikacion”, ka thënë Thaçi. /Epoka e Re/