Lajme Shqip Thursday, 09 June 2011 18:55

Tiranë – Në komisionet parlamentare është shpërndarë për diskutim drafti i ndryshimeve në ligjin “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”.

Projektligji nuk parashikon që të rishikohen të gjitha tapitë e dhëna deri tani. Përkundrazi, do të pajisen me hipotekën e tokës bujqësore shumë familje, që e kanë aktin e tokës në pronësi, por nuk kanë mundur ta hipotekojnë atë për gjithë këto vite. Sipas specialistëve, të cilët kanë hartuar këtë projektligj, komisionet e verifikimit të titujve të pronësisë do të rikonfirmojnë vendimet për dy kategori.

Në pjesën Verilindore të vendit, banorët nuk pranuan të zbatohej ligji 7501,i ndarjes së tokës për frymë, por u kthyen në kufijtë e tokës që kanë patur para kryerjes së konfiskimit të pronave. Megjithëse në këtë zonë nuk ka patur probleme deri tani, këta banorë nuk janë pajisur me çertifikatë pronësie.

Në projektligjin e verifikimit të titujve të pronësisë është vendosur që bashkitë dhe komunat të ngrejnë komisionin, që do t’u përgatisë këtyre banorëve dokumentacionin.

Një tjetër kategori është ajo pjesë e popullsisë që kur prona e marrë me ligjin 7501, ose me ligjin ndarjes së tokës së fermave, 8053, nuk kanë arritur ta hipotekojnë. Në disa raste këta qytetarë nuk kanë mundur t’i kryejnë brenda afatit procedurat e kalimit të tokës nga në përdorim në pronësi, rrjedhimisht nuk janë paisur me çertifikatë pronësie. Kjo pjesë e popullsisë ligjërisht figuron pa tokë dhe këto familje marrin nga shteti asistencë sociale çdo muaj dhe përgjithësisht e lënë sipërfaqen e tokës pa punuar.

Deri tani ligji i vitit 2008 për verifikimin e titujve të pronësisë në toka bujqësore është marrë me shqyrtimine ankesave, kur qytetarët e kanë përfituar në mënyrë të padrejtë pronën, apo kanë përfituar sipërfaqe më tepër se sa ç’ju takon. Pas miratimit të këtyre ndryshimeve ligjore, qytetarët do të marrin ligjërisht tokën e tyre.