|
|
e Shtunë, 17 Dhjetor 2011 13:13 Tiranë-CEZ shpërndarje ka reaguar në lidhje me vendimin më të fundit të Entit Rregullator të Energjisë Elektrike, që vendosi të mos ndryshojë cmimet për asnjë kategori, familjarë apo biznese qofshin këto për 3 vjet.
CEZ shpërndarje thekson se në bazë të këtij vendimi, kompania ka pësuar një ulje prej 19 % të tarifës së shpërndarjes dhe shitjes së energjisë elektrike, e cila bllokon kështu marrjen e huasë prej 65 miljon euro, që do të mund ta përdore për investime. CEZ thekson se vendimi i ERE-s do të ketë ndikim të madh në situatën financiare dhe në investimet e kompanisë.
“Në bazë të vendimit të Entit Rregullator të Energjisë për tarifa të reja të energjisë elektrike për vitet 2012-2014, CEZ Shpërndarje ka pësuar ulje prej 19 përqindësh të tarifës së shpërndarjes dhe shitjes së energjisë elektrike”, bën të ditur kompania.
Kompania thotë se ulja e të ardhurave me 19 për qind e detyron të marrë masa te 4500 punonjësit, duke nisur me shkurtimin e pagave, e deri te largimet nga puna.
Sa i takon investimeve, CEZ deklaron se vendimi i ERE-s nuk është në linjë me parakushtet e caktuara nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Korporatës Financiare Botërore (IFC) për lëvrimin e huasë 65 milionë euro, që CEZ Shpërndarje ka marrë në mënyrë që të përmbushë planin e investimeve.
Në këtë kontekst, ky vendim do të ketë ndikim të madh në situatën financiare të kompanisë dhe në sasinë e investimeve në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri.
Enti Rregullator i Energjisë, edhe gjatë periudhës së tretë rregullatore 2012-2014, vendosi të ruajë të njëjtat çmime, si edhe sistemi tarifor me dy blloqe, duke lënë në fuqi një çmim 7.7 lekë kilovatë/orë për konsumatorët që konsumojnë deri në 300 kilovatë/orë dhe për konsumatorët që konsumojnë mbi këtë masë, çmimi i energjisë elektrike është 13.5 lekë kilovatë/orë.