Lajme Shqip Friday, 24 June 2011 08:46

Uashington – Ministrja franceze e Financave, Kristin Lagard e prezantoi kandidaturën e saj për drejtoreshë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, transmetuan mediat amerikane.

Lagard deklaroi se në takimin treditësh me anëtarët e Këshillit drejtues të fondit dhe në takimet e ndara me anëtarë të këshillit, i ka shprehur pikëpamjet e saj për të ardhmen e institucionit kreditor botëror.

“Mendoj se fondi duhet të jetë më efikas dhe legjitim”, tha Lagard pas takimit.

Deri më 30 qershor Këshilli drejtues i FMN-së duhet të zgjedhë mes Lagardit dhe shefit të bankës qendrore meksikane, Agustin Karstens.

Lagard konsiderohet favorite.

Drejtori i mëparshëm i FMN-së, Dominik Stros-Kan dha dorëheqje muajin e kaluar, pasi që u akuzua për sulm seksual ndaj një shërbyese në një hotel të Nju-Jorkut.

Pasi që do t’i dëgjojnë prezantimet e Lagardit dhe të Karstens dhe pasi që do të takohet në bisedime me to, këshilli i fondit planifikon të mblidhet më 28 qershor, që ta bëjë përzgjedhjen. Qëllimi është që ky proces të përfundojë deri më 30 qershor.

SHBA-ja, e cila ka pjesë më të madhe në fond, akoma nuk është prononcuar nëse do ta mbështesë Lagardin.