Lajme Shqip Friday, 24 June 2011 15:12

Tiranë – Shoqëritë e sigurimeve e mirëpresin liberalizimin e tarifave të sigurimit të detyrueshëm.

Bardhyl Minxhozi, drejtor i përgjithshëm i shoqërisë “Interalbanian”, parashikon se në një moment të parë liberalizimi do të sjellë ulje të tarifave. Por, në afatin e mesëm, tarifat do të rriten për t’iu përgjigjur nevojës për një mbulim real të vlerës së dëmeve.

“Për shkak të konkurrencës së fortë, në momentin e parë mund të ketë një ulje të tarifave. Por, në një të ardhme afatmesme, pas 2-3 vjetësh, unë mendoj se tarifat do të fillojnë të rriten, pasi shumë shoqëri do të kenë arritur nivelin minimal të mundësisë së mbulimit të dëmeve me vlerat e arkëtuara,” shprehet ai.

Minxhozi mendon se heqja e kontrollit të tarifave, do të nxisë konkurrencën mes kompanive dhe do të eliminojë shtrembërimet e tregut.

Qeveria miratoi dje projektligjin për liberalizimin e tarifave të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve. Vlera e sigurimit, që aktualisht përcaktohet ngë Ministria e Financave, me miratimin e ligjit të ri do të përcaktohet nga vetë kompanitë e sigurimeve.