Lajme Shqip Thursday, 16 June 2011 17:13

Tiranë – Euromax, rrjeti më i madh i shitjeve me pakicë në Shqipëri, është blerë nga grupi belg Delhaize. Transaksion është i përfshirë në blerjen nga belgët të të gjithë grupit serb Delta Maxi. Sipas informacionit të publikuar nga palët, vlera e shitjes është rreth 932.5 milion euro, ndërkohë që blerësi ka marrë përsipër edhe një borxh prej 300 milion eurosh të kompanisë serbe. Delta Maxi zotëron një rrjet prej 450 supermarketesh në të gjithë Ballkanin dhe Euromax ishte blerë nga Delta Maxi në vitin 2008 për rreth 30 milion euro. Sipas të dhënave më të fundit të disponueshme, për vitin 2009 Euromax realizoi një xhiro vjetore prej 3.8 milard lekësh. Aktualisht, Euromax ka 16 supermarkete të vendosura në pesë qytete të Shqipërisë. Blerësi i ri Delhaize Group zotëron rreth 2800 pika të shitjes me pakicë në të gjithë botën. Për vitin 2010, Delhaize Group raportoi një xhiro prej 20.8 miliard eurosh dhe një fitim prej 574 milion eurosh. Në fund të muajit maj, shitja e Delta Maxi është autorizuar edhe nga Autoriteti shqiptar i Konkurrencës.