Lajme Shqip Saturday, 04 June 2011 10:19

Tiranë – Ministria e Financave pritet të përfundojë javën e ardhshme draftin për rishikimin e buxhetit të shtetit për vitin 2011, si dhe atë për rritjen e pagave në administratën publike.

Sipas burimeve nga kjo ministri, reduktimet buxhetore për pjesën e dytë të këtij viti do të kryhen në shpenzimet për investime, kryesisht në projektet që ende nuk janë nisur, po ashtu edhe në mirëmbajtje, ndërsa në sektorët prioritarë si shëndetësia dhe arsimi si dhe në investimet që janë nisur do të vazhdojnë normalisht.

Vendimi i qeverisë për rishikimin e buxhetit, që parashikon uljen e shpenzimeve të buxhetit aktual, sipas burimeve nga ministria e Financave, synon mbajtien në kontroll të defiçitit, duke ulur shpenzimet.

Lidhur me rritjen e pagave, burimet nga ministria e Financave sqarojnë se në draftin që do të mbërrijë në Këshillin e Ministrave është parashikuar që pagat e administratës publike të rriten, ndërsa bëhet e ditur se rritjen më të madhe do ta kenë pagat e infermiereve, arsimtareve dhe mjekeve.

Një javë më parë rritjen e pagave dhe pensioneve e konfirmoi Kryeministri Sali Berisha, i cili deklaroi të hënën në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike se “qeveria po përgatit paketën e rritjes së rrogave e pensioneve”.

Berisha tha se “rritja e rrogave dhe pensioneve ka qenë shtylla kryesore e qeverisë së kësaj maxhorance që nga ardhja e saj në pushtet në 2005″ dhe theksoi se kjo politikë do të vijojë të mbetet objekti i punës së qeverisë për aq kohë sa shqiptarët do ta votojnë.

Kryeministri siguroi se rritja e rrogave dhe pensioneve nuk do të ketë asnjë ndikim në rritjen e borxhit publik të vendit.

“Falë politikave të qeverisë ne e ulëm borxhin publik nga 72 % që ishte në vitin 2005, në 59 % në vitin 2010″, tha Berisha, duke shtuar se borxhi publik do të qëndrojë në këtë nivel deri në vitin 2013. Sipas tij, “objektiv i qeverisë është ulja e borxhit publik në periudhën 2013-2017″.

Kreu i Qeverisë vuri në dukje se “ulja e borxhit gjatë mandatit të shkuar u bë në një kohë kur në Shqipëri u mbidyfishua rroga mesatare e punonjësve dhe pensionet dhe u ndërtuan 8 mijë km rrugë, qindra e qindra ujësjellësa e shkolla”.

Duke e cilësuar këtë politikë si “një model të suksesit”, Berisha akuzoi Partinë Socialiste se përdori të gjitha format për të penguar rritjen e rrogave dhe pensioneve që i konsideroi si vepër kriminale.

“Këtë vit ne sërish do të rrisim në mënyrë të ndjeshme rrogat dhe pensionet, pasi kemi bindjen e plotë se ky mbetet investimi më i rëndësishëm që një komb mund të bëjë”, tha Berisha.

Ai informoi se “buxheti i shtetit i miratuar në fund të vitit 2010 do të riformatohet, duke u bazuar në parametrat makroekonomikë”.