Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 13:56

Tiranë – Sistemi bankar e mbylli katërmujorin e parë të vitit 2011 me një fitim prej 1.5 miliard lekësh. Sipas të dhënave të paaudituara, të publikuara nga Shoqata e Bankave, fitimet e sistemit bankar shqiptar paraqiten më të ulëta krahasuar me vitin e kaluar. Për të njëjtën periudhë të vitit 2010, sistemi bankar regjistronte një fitim prej 2.3 miliardë lekësh.

Treguesi i kthimit nga kapitali, që mat fitimin në raport me kapitalin aksioner të sistemit, ra në 4.9%, nga 7.9% që ishte një vit më parë.

Faktori kryesor që ka tkurrur fitimet e bankave vazhdojnë të jenë kreditë me probleme, që për muajin prill shënuan përsëri një rritje. Në fund të muajit prill, përqindja e kredive me probleme arriti në 15.2%, nga 11.7% që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe 14.7% që ishte në fund të muajit mars të këtij viti.

Kreditë me probleme janë bërë një problem mjaft i mprehtë dhe kjo natyrshëm ka rritur edhe rastet kur bankat i drejtohen gjykatës për të kërkuar ekzekutimin e garancive.

Zgjatjet përtej afateve ligjore në procedurat e ekzekutimit, përveçse vonojnë rimarrjen e vlerës së kredisë së pakthyer, sjellin edhe kosto administrative shtesë për bankat. Këta dy faktorë janë drejtpërsëdrejti të lidhur me rezultatin financiar të sistemit bankar.