Lajme Shqip Wednesday, 08 June 2011 11:53

Tiranë – Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo, autorizoi sot Autoritetin e Komunikimeve Elektronike e Postare, AKEP, të hapë garën për dhënien e një licence 3G për operatorët e telefonisë mobile.

Zyra e shtypit e MITIK-së, bëri të ditur se çmimi dysheme i kësaj gare është 12. 5 milionë Euro dhe kushtet ligjore e teknike janë po ato të garës për licencën e parë 3G, që u hap në vjeshtë të vitit të kaluar.

Kjo garë u fitua nga kompania Vodafone Albania në nëntor të vitit të kaluar me ofertën 31. 4 milionë Euro. Përdorimi i teknologjive të brezit të tretë (të njohura si 3G apo Third Generation) nga kompanitë celulare sjell një kapacitet shumë më të lartë në transmetimin e të dhënave në telefonat e pajisjet celulare dhe rrit shumë herë shpejtësinë e internetit në këto aparate.

Duke aplikuar teknologjitë 3G hidhet një hap tjetër i rëndësishëm në realizimin e projektit Shqipëria Digjitale.

Tenderi që do të çelet ditët e ardhshme, do të administrohet nga AKEP. Dhënia e licencave 3G është një proces hapash suksesivë, që vijon në kohë, siç dëfton edhe përvoja e vendeve të tjera që kanë aplikuar më herët teknologjinë 3G.

Siç është dëshmuar edhe më parë, Qeveria edhe në këtë rast inkurajon konkurrencën e nuk toleron situata monopolistike në treg.