Lajme Shqip Monday, 13 June 2011 09:33

Tiranë – Menjëherë pas shpalljes së garës për licencën e dytë 3G, vijnë kundërshtimet nga operatorët celularë. Plus Communication u shpreh zyrtarisht këtë fundjavë se dhënia e një licence të dytë nuk lufton monopolin, përkundrazi thellon problematikën, duke e vënë tregun në një pozitë po aq të dëmshme siç është oligopoli, si dhe duke vënë në pozitë diskriminuese operatorët e tjerë të tregut. Sipas Plus, tarifa e çmimit dysheme e vendosur për tenderin është mjaft e lartë dhe në rast se tenderi do të ketë sukses, kjo tarifë (sikurse edhe tarifa e tenderit të parë) do t’i faturohet konsumatorëve, duke e bërë këtë shërbim të shtrenjtë dhe të paaksesueshëm nga të gjithë. PLUS Communication insiston që dhënia e licencave 3G të gjithë operatorëve të telefonisë celulare që operojnë në treg është e vetmja mënyrë për t’u ofruar konsumatorëve shqiptarë shërbime dhe çmime të përballueshme për këtë shërbim. PLUS i kërkon qeverisë liberalizimin e plotë, sa më të shpejtë dhe me çdo kusht të shërbimit 3G pa barriera hyrëse.

“Ne mendojmë se liberalizimi i shërbimit shmang situatën aktuale monopol në shërbimin 3G, rrit konkurrencën dhe sjell çmimet më të lira, shërbimet më të mira dhe konkurruese për qytetarët. PLUS duke qenë operatori celular më i ri në treg ka tashmë gati rrjetin e mbulimit, sistemin e tarifimit si dhe të gjitha platformat të konfiguruara për të ofruar në të ardhmen shërbimet 3G për klientët e tij,” shprehet Plus në reagimin e vet.

Sipas kompanisë së katërt celulare. liberalizimi, në të njëjtën kohë siguron përputhje me standardin europian për licencimin e shumëfishtë të operatorëve dhe aksesin në treg.