Lajme Shqip Tuesday, 14 June 2011 13:21

Tiranë – Qytetarët shqiptarë ose të huaj nuk mund të kenë më shumë se 50 mijë monedha ose kartëmonedha lekë gjatë hyrjes apo daljes së tyre në kufirin shqiptar.

Duke përcaktuar kufijtë për importin dhe eksportin e monedhave apo kartëmonedhave, Banka e Shqipërisë ka shfuqizuar rregulloren e para 10 viteve, duke përfshirë një nen të veçantë për ata persona që mund të kryejnë “tregtinë” e parasë jashtë kufijve të vendit.

Më konkretisht bëhet fjalë për shoqëritë, shoqatat, fondacionet dhe entet e tjera me karakter privat që kanë statusin e personit juridik. Të drejtën ekskluzive për të sjellë para shqiptare në Shqipëri e ka vetëm Banka e Shqipërisë.

Ndërsa, rastet e tjera për nxjerrjen e lekut shqiptar janë parashikuar në rregulloren e re, e cila shfuqizon atë të vitit 2001. Personat juridikë, të cilësuar në Kodin Civil, si shoqëritë, shoqatat, fondacionet dhe entet e tjera me karakter privat, ku futen bankat, janë të detyruar që të pajisen me një autorizim të veçantë nga Banka Qendrore, e cila është e vetmja që ka të drejtën për të nxjerrë jashtë vendit sasi të monedhës vendase.

Në rregulloren e vjetër nuk ishin të parashikuara rastet për nxjerrjen jashtë të monedhave apo kartëmonedhave që duhet të testohen në bankomate, apo të përdoren për qëllime studimi dhe koleksionimi. Kjo sa i përket parave që janë ende në qarkullim, pasi për paratë që nuk përdoren më, edhe importi edhe eksporti i tyre mund të kryhet lirisht dhe pa asnjë kufizim nga kushdo. Ndryshimet përfshijnë edhe ata që duan të kryejnë veprimtari numizmatike, me të cilin do të kuptohet mbajtja e kartëmonedhave ose monedhave metalike me ose pa kurs ligjor, për qëllime koleksionimi ose studimi. Rregullorja e vjetër nuk i përfshinte trajtimin e rasteve të përdorimit të parave për testimin e bankomateve.

Nëse ata persona që pajisen me autorizim nuk e kthejnë sasinë e marrë brenda 3 muajve dhe të njoftojnë autoritetet, atëherë e humbasin të drejtën për të rieksportuar. Vetëm në vitin 2004 në vendin tonë filloi të merrte një hov përdorimi i kartave të para bankare dhe bankomatet. Aktualisht ky shërbim ofrohet nga 16 banka të nivelit të dytë në Shqipëri. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se numri i pajisjeve ATM ose bankomate është rritur me 15 për qind, në krahasim me 2009-ën. Po kështu edhe numri i kartave bankare është rritur me mbi 25 për qind kundrejt vitit 2009, duke e çuar në 673 mijë karta bankare numrin e atyre që janë në qarkullim, nga të cilat 646 mijë janë karta për të tërhequr pagat.

Personat juridikë lejohet të eksportojnë monedha shqiptare me kurs ligjor jashtë territorit të Republikës të Shqipërisë, vetëm për veprimtari numizmatike dhe për adoptim dhe testim të makinerive dhe sistemeve përpunuese, arkëtuese dhe të lëvrimit automatik të kartëmonedhës e monedhës metalike shqiptare me kurs ligjor.

Në rastet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni, eksporti i monedhave shqiptare nga personat juridikë bëhet vetëm pas dhënies së autorizimit me shkrim nga Banka e Shqipërisë.

Banka e Shqipërisë vlerëson dhe vendos për sasinë e monedhave që do të eksportohen, duke u bazuar në kërkesën e personit juridik që kërkon të eksportojë. Kërkesa duhet të përmbajë sasinë që kërkohet të eksportohet, si dhe arsyet e eksportimit.

Autorizimi sipas pikës 2 të këtij neni, lëshohet nga Administratori përkatës, bazuar në relacionin e përgatitur nga Departamenti i Emisionit në Bankën e Shqipërisë. Në çdo rast, autorizimi përmban gjithashtu edhe sasinë e monedhave që lejohet të eksportohet.

Në rastet e eksportit të monedhave për qëllime të adoptimit dhe testimit të makinave dhe sistemeve përpunuese, arkëtuese dhe të lëvrimit automatik, shuma e eksportuar duhet të rikthehet në Shqipëri brenda 3 muajve nga data e nxjerrjes së saj. Personi i autorizuar për eksportin e kësaj shume është i detyruar të njoftojë Bankën e Shqipërisë për rikthimin e saj, duke paraqitur dokumentacionin doganor vërtetues.

Në rast mosrikthimi të kësaj shume, personi i cili është autorizuar për eksportin e monedhave, humbet të drejtën për të eksportuar monedha në raste të tjera.