Lajme Shqip Monday, 27 June 2011 15:52

Tiranë – Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço dhe zv/ministri i Tregtisë i Republikës Popullore të Kinës, Zhong Shan, nënshkruan sot në Tiranë marrëveshjen prej 10 milionë juanësh që do të shërbejnë për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.

Z. Naço vlerësoi marrëdhëniet miqësore që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Kinës, marrëdhëniet ekonomike-tregtare mes dy vendeve dhe u shpreh për forcimin e tyre në të ardhmen.

Ministri Naço shprehu falënderimet për ndihmën e vazhdueshme që Republika e Kinës ka dhënë për Shqipërinë dhe u shpreh i gatshëm që bashkëpunimi ekonomik të thellohet edhe më tej.

Kreu i METE-s, pasi bëri një ekspoze të zhvillimeve ekonomike në vendin tonë, ftoi investitorët kinezë të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri, duke theksuar se janë të shumta fushat në të cilat ata mund të investojnë, siç është fusha energjetike apo edhe sektori i privatizimeve strategjike.

Zv.ministri i Tregtisë i Kinës, Zhong Shan, shprehu interes të lartë për zhvillimet ekonomike në Shqipëri. Z. Shan, në emër të qeverisë kineze, shprehu gatishmërinë që marrëdhëniet e mira ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve të thellohen akoma dhe më shumë në të ardhmen në të mirë të dy vendeve.

Gjithashtu, zv. ministri i Tregtisë së Kinës shprehu interesin e investitorëve kinezë për të investuar në vendin tonë, për mundësitë dhe potencialet që paraqet vendi ynë.