Lajme Shqip Monday, 06 June 2011 18:21

Tiranë – Mungesa e çertifikatave të pronësisë ka paralizuar tregun e pasurive të paluajtshme. Ilda Biçoku, agjente e Century 21 Albania, thotë se shumica blerjeve të apartamenteve apo njësive tregtare sot financohen me kredi bankare, për të cilat lënia si garanci e një prone të regjistruar është domosdoshmëri.

“Sot është shumë e vështirë ta blesh shtëpinë me kursimet e tua. Për këtë arsye, shumica e blerësve i drejtohen bankave për kredi. Por asnjë bankë nuk pranon si garanci një pasuri të paregjistruar, ndaj shpeshherë transaksionet dështojnë,” thotë ajo.

Agjencitë imobiliare vlerësojnë se mbi 80% e pallateve të reja në Tiranë kanë ngelur të paregjistruara. Mijëra qytetarë që kanë blerë apartamente ende nuk janë pronarë, ndërkohë që shumë të tjerë nuk mund të blejnë shtëpi, sepse ndërtuesi nuk ju jep dot çertifikatën. Ky problem po shkakton kosto të rënda për ndërtuesit, qytetarët dhe sistemin bankar.