Lajme Shqip Thursday, 09 June 2011 15:38

Tiranë – Ministri i Shtetit për Evropën dhe NATO-n i Mbretërisë së Bashkuar, David Lidington u shpreh sot, gjatë një takimi me gazetarë dhe opinionistë në rezidencën e Ambasadës Britanike në Tiranë, se kriza e tejzgjatur politike në vend po vështirëson rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Mbretëria e Bashkuar është një prej aleatëve më të fortë që Shqipëria ka brenda BE-së. Ne mendojmë se anëtarësimi duhet ti ofrohet të gjitha vendeve evropiane që e kërkojnë atë, sigurisht nëse vendi plotëson kriteret e anëtarësimit. Ne nuk kemi kundërshtime ndaj atyre që kërkojnë anëtarësimin e Kroacisë, pasi mendojmë se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, duhet të anëtarësohën  në BE”, tha Lidington.

Ne vijojmë ta diskutojmë këtë çështje, vijoi më tej ai, duke shtuar se “nuk ka asnjë dyshim se kriza e tejzgjatur politike në Shqipëri dhe marrëdhëniet, jo të mira mes maxhorancës dhe opozitës, po e bëjnë procesin e anëtarësimit drejt BE-së, më të vështirë edhe për miqtë e Shqipërisë që mbështesin anëtarësimin e saj, përballë zërave të atyre që janë më pak entuziast, për një zgjerim të mëtejshëm të BE-së”.

“Mendoj se ka një rrezik real, që pa vendosmërinë e Qeverisë dhe opozitës për të pranuar përgjegjësitë e tyre dhe për të gjetur një rrugë përpara, të jetë e vështirë arritja e qëllimit të anëtarësimit në BE, që sipas sondazheve kërkohet nga rreth 80% – 96% e shqiptarëve”, u shpreh Lidington.

Sipas tij, nëse vazhdohet në këtë rrugë, Shqipëria do të mbetet prapa, teksa vendet e tjera të Ballkanit do të vijojnë rrugën e tyre përmes procesit të stabilizimit të politikës së tyre të brendshme dhe reformimit ekonomik.

“Nuk i takon Mbretërisë së Bashkuar të diktojë se si institucionet dhe qytetarët shqiptarë duhet ta përballojnë të ardhmen e vendit të tyre, por besojmë se është e rëndësishme që në një demokraci me shumë parti, të ekzistojë njohja reciproke e rolit legjitim të Qeverisë së zgjedhur dhe të opozitës së njohur nga Kushtetuta”, theksoi Lidington.

“Ne vijojmë ta mbështesim Shqipërinë në qëllimet e saj për anëtarësimin në BE dhe i ftojmë partitë politike në Shqipëri që të gjejnë një mënyrë për të tejkaluar mosmarrëveshjet e tyre dhe të punojnë së bashku për të ofruar perspektivën evropiane që kërkojnë qytetarët shqiptarë. Gjë që u shërben interesave të të gjithëve në këtë vend pavarësisht se kë parti kanë votuar”, tha Lidington .

Përsa u përket marrëdhënieve mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë, Lidington theksoi se ka dy fusha ku bashkëpunimi është mjaft i frytshëm.

‘Ka një lidhje të fortë bilaterale mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Kemi një aleancë të fortë në NATO dhe bashkëpunim bilateral në sundimin e ligjit. Përsa i përket NATO-s, Shqipëria ka treguar angazhimin e saj në Aleancën Euroatlantike, duke marrë pjesë në misionet ushtarake në Afganistan dhe së fundmi duke ndihmuar aleatët e saj në Tunizi dhe Libi”, tha Lidington.

Shqipëria, shtoi ai, “ka luajtur një rol të rëndësishëm në çështjet rajonale”. “Mbretëria e Bashkuar do të vijojë të japë mbështjejen e saj të fortë në Kosovë, duke punuar për të vendosur njohjen e Pavarësisë së saj në arenën ndërkombëtare. Së bashku me ministrin Haxhinasto nuk pranuam të diskutonim për idenën e ndarjes së Kosovës”, vijoi Lidington.

Përsa i përket sundimit të ligjit, Lidington theksoi se pas takimit me Kryeprokuroren e Përgjithshme, Ina Rama e siguroi atë se “Qeveria britanike mbetet e angazhuar për të mbështetur atë dhe punën e Prokurorisë dhe Policisë në Shqipëri”.

“Duke forcuar sundimin e ligjit në Shqipëri’, vijoi ai, “do të forcohet edhe reputacioni i Shqipërisë si një element që e ndihmon në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE”.

“Kështu që është në interes të përparimit të të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe të rritjes sonë ekonomike në të ardhmen, që puna në forcimin e sundimit të ligjit të vijojë”, përfundoi ministri i Shtetit për Evropën dhe NATO-n i Mbretërisë së Bashkuar, David Lidington.