Lajme Shqip Saturday, 11 June 2011 10:52

Tiranë – Komisionet parlamentare të Kuvendit pritet javën që vjen të diskutojnë mbi draft ndryshimet në ligjin “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”.

Ekspertë të bujqësisë shpjegojnë se me ndryshimet në këtë projektligj nuk parashikohet rishikim i të gjitha tapive të dhëna deri tani, por synohet pajisja me hipotekën e tokës bujqësore të shumë familjeve, që e kanë aktin e tokës në pronësi, por nuk kanë mundur ta hipotekojnë atë për gjithë këto vite. Sipas specialistëve, të cilët kanë hartuar këtë projektligj, komisionet e verifikimit të titujve të pronësisë do të rikonfirmojnë vendimet për dy kategori.

Në pjesën Verilindore të vendit, banorët nuk pranuan të zbatohej ligji 7501 i ndarjes së tokës për frymë, por u kthyen në kufijtë e tokës që kanë patur me parë. Megjithëse në këtë zonë nuk ka patur problem deri tani, këta banorë nuk janë paisur me çertifikatë pronësie. Në projektligjin e verifikimit të titujve të pronësisë është vendosur që bashkitë dhe komunat të ngrejnë komisionin, që do t’u përgatisë këtyre banorëve dokumentacionin. Një tjetër kategori është ajo pjesë e popullsisë që kur prona e marrë me ligjin 7501, ose me ligjin ndarjes së tokës së fermave, 8053, nuk kanë arritur ta hipotekojnë.

Në disa raste këta shtetas nuk kanë mundur t’i kryejnë brenda afatit procedurat e kalimit të tokës nga në përdorim në pronësi, rrjedhimisht nuk janë paisur me çertifikatë pronësie. Kjo pjesë e popullsisë ligjërisht figuron pa tokë dhe këto familje marrin nga shteti asistencë sociale çdo muaj dhe përgjithësisht e lënë sipërfaqen e tokës pa punuar. Deri tani ligji i vitit 2008 për verifikimin e titujve të pronësisë në toka bujqësore është marrë me shqyrtimin e ankesave, kur qytetarët e kanë përfituar në mënyrë të padrejtë pronën, apo kanë përfituar sipërfaqe më tepër se sa u takon.

Pas miratimit të këtyre ndryshimeve ligjore, qytetarët do të marrin ligjërisht tokën e tyre.