Lajme Shqip Friday, 10 June 2011 19:52

Tiranë – Shpenzimet e larta dhe shpeshherë joefiçente publike po i çojnë vendet e Ballkanit në një rrugë të rrezikshme. Radovan Jelasiç, ish-guvernator i Bankës së Serbisë dhe një ndër bankierët më të njohur në rajon, u shpreh në Tiranë se qeveritë e vendeve të rajonit duhet të heqin dorë nga politikat ekonomike populiste dhe të tregohen të ndershme me publikun.

“Gjatë tranzicionit, jemi përqëndruar shumë në sektorin financiar dhe duhet pranuar se kemi bërë një punë të mirë. Por, ndërkohë kemi lënë pas dore funksionimin dhe efiçencën e sistemit të pensioneve, sistemit arsimor, sistemit shëndetësor, bujqësisë dhe sektorëve të tjerë strategjikë të ekonomisë. Po shpenzojmë shumë para, por po marrim pak rezultate. Duhet të jemi të vetëdijshëm se buxhetet nuk mund të përballojnë shpenzime të këtyre përmasave për shëndetësinë apo për pensionet. Duhet ta shohim në sy realitetin  dhe politikanë tanë duhet të jenë më të përgjegjshëm dhe t’ja shpjegojnë gjërat më qartë publikun. Unë mendoj se politikanët në vendet tona e nënvlerësojnë aftësinë e publikut për të kuptuar që qeveria nuk mund të shpenzojë kaq shumë dhe kjo duhet t’ju thuhet njerëzve ndershmërisht. Çështja është që duhet të veprojmë më shpejt, sepse përndryshe borxhi publik do të rritet, shpenzimet për mbulimin e borxhit gjithashtu do të rriten dhe me kalimin e kohës do të kemi gjithnjë e më pak para për të investuar”, thotë Jelasiç.

Sipas tij, investimet e huaja në Ballkanin Perëndimor janë të pamjaftueshme dhe sidomos atje ku janë më të domosdoshme, në industri dhe prodhim.

Jelasiç thotë se për vendet e Ballkanit Perëndimor është një fat i madh sistemet financiare u treguan të qëndrueshme ndaj krizës dhe qeveritë nuk u detyruan të shpenzonin para për t’i shpëtuar. Por, sipas tij, në kushtet aktuale të tregjeve ndërkombëtare, çështja është gjendja e parave për financime të reja.

Ndaj, Jelasiç sugjeron se është e rëndësishme që të rrisim kursimet, në mënyrë që të kemi më shumë burime të brendshme për të mbështetur investimet.