Lajme Shqip Wednesday, 01 June 2011 16:31

Tiranë – Interesi i Bonove të Thesarit rritet përsëri. Në ankandin e fundit, norma e ponderuar e interesit për bonot me afat maturimi 12 mujor ishte 7.4%, nga 7.35% që ishte në ankandin paraardhës. Duket se rritja e interesit ka ardhur si rrjedhojë e kërkesës në vlerë të lartë për financim nga Qeveria.

Shuma e kërkuar për t’u financuar ishte 14.9 miliardë lekë, shumë që u përmbush e gjitha me 31 oferta të paraqitura gjithsej. Rritje shënoi edhe interesi mesatar i ponderuar për bonot me afat maturimi 3 mujor, që arriti në 5.55%, nga 5.47% që ishte në ankandin e mëparshëm. Shuma e kërkuar për financim nga qeveria ishte 4.4 miliardë lekë dhe po kaq ishte vlera e 6 ofertave të paraqitura.

Gjatë muajit Maj, interesi i Bonove të Thesarit kishte shënuar rënie, çka bëri të besohej një përmbysje e tendencës rritëse të katër muajve të parë të vitit. Por, duket se kërkesa e një shume të lartë nga Qeveria e ka kthyer kahun e interesave.

Ndërkohë që bankat vazhdojnë të kenë likuiditete të bollshme dhe kredia po ruan një dinamikë rritjeje normale, duket se interesat e bonove në muajt e ardhshëm do të varen nga qëndrimi i qeverisë ndaj defiçitit dhe borxhit.

Shpenzimet e larta në muajt para zgjedhjeve kanë sjellë rritje të defiçitit me rreth 13 herë krahasuar me një vit më parë. Brenda muajt Qershor, Ministria e Financave do të paraqesë buxhetin e rishikuar, që do të qartësojë cila do të jetë strategjia në raport me nivelin e defiçitit.