Lajme Shqip Thursday, 16 June 2011 19:21

Tiranë – Interesi i Bonove të Thesarit rritet përsëri. Në ankandin e fundit, norma e ponderuar e interesit për Bonot, me afat maturimi 12-mujor, ishte 7.56%, nga 7.4% që ishte në ankandin paraardhës.

Në ankand u emetuan Bono në vlerën e 9.4 miliardë lekëve, ndërkohë që oferta për financim ishte mjaft e bollshme, në vlerën e 11.5 miliardë lekëve. Nga 29 oferta të paraqitura, u pranuan 27.

Megjithëse sistemi financiar vazhdon të jetë mjaft i interesuar për të investuar në Letrat me Vlerë të qeverisë, interesi prej dy ankandesh vazhdon të rritet. Defiçiti i lartë në këtë pjesë të parë të vitit duket se po ndikon në rritjen e normave të interesit të Bonove.

Gjithashtu, sipas ekspertëve, problemet në Eurozonë dhe në veçanti thellimi i krizës greke po ndikojnë në perceptimin e riskut të investitorëve lidhur me financimin e borxheve publike.

Rritja e interesit të Bonove të Thesarit, përveçse shton koston e borxhit publik, në mënyrë të tërthortë rrit edhe normat e interesit për kreditë afatgjata në lekë.

Një tendencë të ndryshme kanë shfaqur Bonot me afat maturimi 6 mujor, për të cilat norma e interesit në ankandine  fundit pësoi një rënie të lehtë nga 6.82% në 6.8%.

Por, kjo i detyrohet kryesisht faktit se nga 5 miliard lekë të kërkuara nga qeveria, 3.7 miliardë lekë u financuan prej Bankës së Shqipërisë me ofertë jokonkurruese.