Lajme Shqip Tuesday, 21 June 2011 14:28

Tiranë – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë kthen edhe njëherë vëmendjen te domosdoshmëria për të ngritur një model të ri ekonomik.

Seminari i organizuar sot në bashkëpunim me Universitetin e Oksfodit ishte rasti për ta shtrirë debatin e modelit ekonomik në një kontekst rajonal.

Fullani tha se modeli aktual, i mbështetur te kërkesa e brendshme dhe borxhet e larta, nuk mund të funksionojë në afatin e gjatë. Pozicioni i jashtëm, sipas Guvernatorit, ngelet një plagë e rëndë strukturore për ekonomitë e Ballkanit.

Përmirësimi i këtij parametri mund të bëhet vetëm duke rritur eksportet, çka kërkon përmirësim të konkurrueshmërisë. Banka e Shqipërisë vlerëson se ekonomia shqiptare është e prirur drejt zgjedhjeve afatshkurtra.

Aktorëve të tregut iu mungon informacioni për të vlerësuar kostot oportune të vendimeve të tyre dhe për të kuptuar më mirë shanset afatgjata.