Lajme Shqip Wednesday, 15 June 2011 16:06

Tiranë – Rënia reale e të ardhurave në buxhet duhet të jetë shqetësimi kryesor i qeverisë dhe objekt i debateve ekonomike. Pas publikimit të treguesve fiskalë për 5 mujorin, Koço Broka, ekspert ekonomie, thotë se pamundësia për të rritur të ardhurat në buxhet sinjalizon për ecuri të dobët të ekonomisë. Sipas tij, ky problem kërkon analiza të kujdesshme për t’u marrë me thelbin e problemit: nxitjen e rritjes së ekonomisë së vendit.

Sipas të dhënave të publikuara dje, nga Ministria e Financave, të ardhurat në buxhet u rritën me vetëm 1% në vlerë nominale, çka nëkupton rënie të termave real.

Qeveria nuk po arrin më të rrisë të ardhurat në buxhet. Ndërkohë, shpenzimet për 5-mujorin u rritën me 10. 3%, gjë e cila solli rritje të deficitit buxhetor me 165%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Performanca e pakënaqshme në realizimin e të ardhurave dhe nevoja për të mbajtur nën kontroll deficitin, e shtynë Ministrinë e Financave të rishikojë buxhetin e vitit 2011. Sipas draftit që ende nuk është miratuar nga Këshilli i Ministrave, parashikohet një shkurtim i shpenzimeve me rreth 16 miliardë lekë. Por, qeveria duket se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga rritja e pagave dhe pensioneve. Ndaj, shkurtimi pritet të prekë pjesën e mbetur të shpenzimeve korrente dhe disa prej projekteve të investimeve publike.