Lajme Shqip Monday, 06 June 2011 18:25

Tiranë – Dorëzimi e statuteve po e bllokon Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Drejtori Tomi Kola, thotë se dyndja e bizneseve që duan të dorëzojnë statutet i shteron kapacitetet njerëzore dhe elektronike të QKR, çka bën që shumë biznese që vijnë për çështje më urgjente të mos marrin dot shërbim.

Kola thekson se nuk ka asnjë penalitet për mosdorëzimin në kohë të statutit dhe bizneset mund ta bëjnë këtë në momentin më të parë që do t’i drejtohen QKR për një veprim tjetër. Ai bën gjithashtu thirrje që e njëjta situatë të mos përsëritet për dorëzimin e bilanceve. Afati i fundit është data 31 korrik, por deri tani vetëm 10 kompani kanë dorëzuar bilancin e vitit paraardhës. Megjithëse patën rreth tre vjet kohë në dispozicion, shumica e bizneseve që janë persona juridikë vetëm pas skadimit të afatit ligjor janë kujtuar ta përmbushin këtë detyrim. Por stafi i QKR dhe sistemi elektronik e kanë të pamundur ta përballojën fluksin e këtyre ditëve. Kjo detyron QKR të mbyllë dyert para orarit, duke ju mohuar shërbimin shumë qytetarëve dhe subjekteve që vijnë për çështje më të rëndësishme se dorëzimi i statutit.