Lajme Shqip Wednesday, 29 June 2011 09:17

Tiranë – Fermerët në të gjithë vendin, po e rrisin interesin për mbjelljen e tokave djerrë me kulturën e grurit.

Burime nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, bënë të ditur për ATSH-në se, megjithëse shpenzimet për kultivimin e grurit janë të mëdha, fermerët po shtojnë sipërfaqet e mbjella me këtë bimë, sa për të plotësuar nevojat e një familje prej pesë anëtarësh.

Sipas MBUMK-së, një nga zonat që po i rikthehet traditës së prodhimit të grurit është Myzeqeja, ndonëse me sipërfaqe të tëra me grurë janë mbjellë edhe në Korçë, Berat etj. Shumë fermerë të tjerë prodhojnë grurë në këto zona, por vetëm për përdorim familjar, për shkak të kostos së lartë (18 mijë lekë) që arrin një dynym.

Anëtarë të Shoqatës së Fermerëve shprehen se “shpenzimet për korrje dhe shirje janë edhe më të mëdha krahasuar me një vit më parë, pas shtrenjtimit të karburantit”.

Gruri që prodhohet në vend, sipas Ministrisë së Bujqësisë plotëson 30% të nevojave për konsum, ndërsa pjesa tjetër importohet. Ndonëse nuk ka një statistikë të saktë për token e lënë djerrë, fakt është reduktimi i sipërfaqes së mbjellë me drithëra nga viti në vit. Aktualisht, në vend prodhohet 300 mijë tonë grurë, e thënë ndryshe, sa gjysma e prodhimit të para viteve ’90.