Lajme Shqip Friday, 10 June 2011 16:52

Tiranë – Qeveria do të vazhdojë mbështetjen e fermerëve me fidanë ulliri. Gjatë një vizite që kryeministri Sali Berisha bëri në serat e Universitetit Bujqësor të Kamzës tha se, këto dy vjet janë mbjellë 10 milionë rrënjë ulliri dhe ky numër do të dyfishohet brenda dy viteve në vijim.

Serat kanë kapacitet kultivimi prej 500 mijë rrënjësh, të cilat do t’i shpërndahen falas fermerëve shqiptarë. Berisha shtoi se është rritur shumë numri i fermerëve që po kultivojnë fidanë ulliri.

Berisha, gjithashtu foli edhe për projektin e mbjelljes së drurëve arrorë. Ai tha se Shqipëria i ka të gjitha potencialet për të zënë një peshë të rëndësishme në tregjet europiane. Kryeministri Berisha premtoi për fermerët edhe subvencionimin e plotë të sistemeve vaditës, duke deklaruar se ky është një projekt tjetër i madh i qeverisë, pas atij të ndërtimit të rrugëve.