Lajme Shqip Wednesday, 22 June 2011 13:32

Tiranë – Shefi i misionit të FMN-së, Gerwin Bell, deklaroi sot në Tiranë se Shqipëria i bëri ballë krizës ekonomike globale.

“Eshtë e rëndësishme të vlerësohet rezistenca që ekonomia shqiptare i bëri krizës globale të vitit 2009 dhe ishte ndër të paktat vende që nuk pësoi rënie të prodhimit të brendshëm”, tha Bell.

Bell vlerësoi se sistemi ekonomik bazohet në një sistem makroekonomik realist dhe se do të ishte pozitive trajtimi i borxhit publik.

“Është rrezik niveli i lartë i borxhit publik”, paralajmëroi Bell në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Financave, Ridvan Bode dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.

“Është e rëndësishme të kuptohet që borxhi të mos arrihet 60 %, që konsiderohet si maksimum. Sipas Bell, përt vende në zhvillim si Shqipëria, ky është një nivel mjaft i lartë. Prandaj, sipas Bell, duhet të ulet në 50 %, nga 59 % që është aktualisht.

Bell vlerësoi rishikimin e buxhetit të shtetit nga qeveria shqiptare. Sipas tij, parashikimi i FMN-së për rritjen ekonomike në Shqipëri është në 2.7.

“Bazoni buxhetin duke pasur parasysh edhe opinionet e institucioneve të pavarura”, tha më tej Bell.

Konsolidimi fiskal, i bazuar në kuadër të qëndrueshëm politikash, rrit, sipas Bell, potencialin për rritjen ekonomike dhe ndihmon për të ngushtuar deficitin fiskal.

Ndër sugjerimet që Bell tha se i ka dhënë qeverisë shqipare, ishte ulja e normës së kontributit të sigurimeve shoqërore, duke theksuar se nuk dha efektin e pritshëm në buxhetin e sigurimeve shoqërore dhe ngritjen e nivelit të taksës së sheshtë nga 10 % në 12 ose 15 %, e cila do të jepte efekte pozitive në buxhet dhe nuk do të ishte e lartë për investitorët, duke e bërë Shqipërinë sërish atraktive për investitorët.

Ai u shpreh se përmirësimi i klimës së biznesit dhe ruajtja e arritjeve të mëparshme janë kusht për tërheqjen e investimeve të huaja, të cilat ai i konsideroi si kyçe për rritjen ekonomike, të cilat janë të rëndësishme për të sjellë energji të reja dhe rrisin produktivitetin.

Ndër parakushtet për ruajtjen e rritjes ekonomike, Bell vlerësoi ruajtjen e stabilitetit financiar dhe monetar.

Lidhur me inflacionin shefi i misionit të FMN-së tha se inflacioni nuk kërceu shumë lart mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë, por vlerësoi ai, shumë shpejt filloi të bjerë dhe nga fundi i vitit ne parashikojme që ai të bjerë në normat e paracaktuara.